Gjermania nuk ka miratuar asnjë eksport të ri armësh për Izraelin që nga shpallja e embargos së pjesshme në muajin gusht, në një zbatim gjithnjë e më të gjerë të kufizimeve të shpallura nga kancelari, Friedrich Merz.

Më 8 gusht, si përgjigje ndaj planit të Izraelit për të pushtuar plotësisht enklavën palestineze të shkatërruar nga lufta, Merz deklaroi se vendi i tij “nuk do të miratojë asnjë eksport pajisjeje ushtarake që mund të përdoret në Rripin e Gazës deri në një njoftim të dytë”.


Megjithatë, sipas një përgjigjeje me shkrim nga Ministria Gjermane e Ekonomisë drejtuar deputetit të majtë Ulrich Thoden, Izraelit nuk i janë dhënë asnjë leje (për eksport armësh) ndërmjet datës së vendimit të Merzit dhe 12 shtatorit, kur politikani parashtroi pyetjen zyrtare.

Në letër, sekretari i Shtetit Thomas Steffen shkroi se qeveria ka vendosur “rast pas rasti dhe në përputhje me situatën përkatëse, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, duke marrë parasysh konsideratat e politikës së jashtme dhe të sigurisë, si dhe kërkesat ligjore”.

Ai shtoi se Gjermania “riafirmon parimet e politikës së saj ndaj Izraelit dhe mbetet veçanërisht e përkushtuar ndaj mbrojtjes së Shtetit të Izraelit”.

Zyra e Thodenit tha për DW News se anëtarët e partisë së tij të Majtë “vazhdojnë të jenë skeptikë se si do të zbatohet në praktikë deklarata e Merzit”.

“Politikisht, do të ishte e nevojshme të ndalohet plotësisht çdo eksport armësh (edhe ai që është miratuar më parë) për Izraelin dhe të ndërpritet bashkëpunimi i ngushtë në fushën e armatimeve mes Gjermanisë dhe Izraelit. Përndryshe, qeveria gjermane rrezikon seriozisht të jetë bashkëpërgjegjëse për krimet e ushtrisë izraelite kundër popullsisë civile palestineze, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Para ndryshimit të politikës në muajin gusht, Gjermania ishte furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Izraelin, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në mars të vitit 2024, qeveria e Nikaraguas paditi Gjermaninë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), duke e akuzuar për bashkëfajësi në gjenocidin izraelit në Gaza.

Ndërmjet 7 tetorit 2023 dhe 13 majit 2025, Gjermania ka dhënë leje eksporti për pajisje ushtarake në vlerë prej 485 milionë euro, sipas të dhënave të parlamentit gjerman.

Ndryshimi i fundit i politikës vjen mes presionit në rritje ndaj vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione ndaj Izraelit. Në muajin gusht, Sllovenia u bë shteti i parë i BE-së që shpalli embargo armësh kundër Izraelit, dhe në shtator i’u bashkua edhe Spanja.

Të enjten, qeveria sllovene vendosi sanksione ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili është i kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /Telegrafi/