LAJMI I FUNDIT:

“Ekonomia e luftës” apo ”korona-ekonomia”?

“Ekonomia e luftës” apo ”korona-ekonomia”?
Ilustrim

Në kuadrin e kësaj situate të jashtëzakonshme që po kalojmë dhe përpjekjeve drastike të vendeve e qeverive të ndryshme në gjithë botën e prekur nga pandemia Covid-19, në komunikimin politik, mediatik e social, çdo ditë e më tepër po përdoret shprehja “jemi në luftë përballë një armiku të padukshëm por vdekjeprurës”.

E njëjta gjë po ndodh dhe me analizat dhe debatet ekonomike për të gjetur recetën, d.m.th., strategjinë e taktikat më të përshtatshme për ta fituar këtë luftë. Në shumë gjuhë të botës, përfshirë dhe shqipen, shprehja “economia di guerra”, “war economy”, “économie de guerre”, “Kriegswirtschaft”, “ekonomia e luftës”, “háborús gazdaság” etj., është bërë më se e përditshme.


Në funksion të kësaj situate po analizohen, propozohen dhe zbatohen masat dhe politikat speciale ekonomike, financiare e sociale. Ose, më e pakta, në gjuhën e politikanëve dhe drejtuesve të lartë të çdo vendi, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, të gjitha këto masa po kalojnë në filtrin e logjikës “jemi në luftë”.

Por, krahas këtij qëndrimi, pothuajse të unifikuar në shkallë ndërkombëtare, çdo ditë e më tepër po shfaqet dhe një “filtër” apo këndvështrim tjetër: a jemi vërtet në kushtet e një lufte apo ekonomie lufte, apo këtë radhë kemi të bëjmë me një gjendje tjetër më specifike që emrin më të afërt ka “ekonomia epidemisë koronavirusit”… a vlen 100 për qind eksperienca historike dhe logjika e ekonomisë së luftës për t’ia dalë mbanë me sa më pak humbje nga kjo luftë, apo duhet t’i referohemi dhe eksperiencave historike të pandemive të kaluara dhe pasojave ekonomike që ato kanë shkaktuar dhe kanë lënë pas? Gjithçka në emër të vlerësimit real të rreziqeve ekonomiko-financiare që na kanosen dhe recetat më të përshtatshme që mund të zbatohen në këtë situatë.

Çështjet më të nxehtë duket se janë: “qëndrimi ndaj rritjes së borxhit publik”, “qëndrimi ndaj biznesit dhe shkallën e ndërhyrjes për ta ndihmuar që të mos i afrohet zonës së nxehtë të mundësisë për falimentim”, “paketa ekonomike për t’i mbajtur frymën gjallë apo ndërhyrjet energjike për ta mbajtur në formë dhe kushte të favorshme që, menjëherë mbas karantinës, të ketë mundësi të fillojë aktivitetin e tij pothuajse normalisht”? Mendoj që në këtë debat dhe në këtë këndvështrim, në kërkim të recetave e zgjidhjeve më efikase duhet të përfshihet më realisht dhe më konkretisht dhe Shqipëria. Paketa e re mbështetëse ekonomike që po merr formë, në kuadrin e “Planit B”, nuk duhet të jetë as minimaliste dhe as lineare në trajtimin e problematikës së biznesit.

Megjithëse shumica e ekonomive të vendeve të prekura nga koronavirusi po shkojnë drejt recesionit dhe humbjet pritet të jenë kolosale, megjithëse papunësia po rritet frikshëm nga dita në ditë, të gjithë janë të bindur në efektshmërinë e masave të karantinës dhe të distancimit social si e vetmja mënyrë apo garanci – të paktën deri tani më e vlerësuara dhe më bindësja – për ta përballuar këtë emergjencë dhe për të filluar menjëherë pas saj ringritjen ekonomike. Shtetet, Qeveritë dhe Bankat Qendrore ndodhen në krye të përballimit të situatës ekonomiko-financiare së jashtëzakonshme.

Një studim i fundit i FED-it (Bankës Qendrore të SHBA), i cili është aktualisht në fokus të shumë debateve e analizave, vlerëson se nëse situatën e sotme e konsiderojmë si “ekonomia e koronavirusit”, d.m.th. ekonomi në situatë pandemia, shanset për të dalë më shpejt dhe më të “shëndoshë ekonomikisht” nga kjo luftë janë më të mëdha. Duke studiuar disa nga epidemitë më të mëdha që kanë shkundur planetin tonë – murtaja e zezë e shekullit XIV-të që vetëm në Evropë shkaktoi mbi 20 milionë viktima; kolera e shekullit XIX-të, apo gripi spanjoll i viteve 1918-1919 – studiuesit amerikanë kanë evidentuar faktin se efektet e këtyre epidemive kanë lënë pasoja për disa dekada në vazhdim, duke e bërë ringritjen ekonomike më të vështirë se ringritja mbas mbarimit të luftërave që është më e shpejtë e më energjike.

Dy janë dilemat më të mëdha që sipas logjikës së “ekonomisë së koronavirusit” po marrin përgjigje të ndryshme në raport me logjikën apo metaforën e “ekonomisë së luftës”.

Së pari, ideja apo bindja se sa më shpejt të dalim nga karantina dhe ta vëmë ekonominë në punë, aq më mirë është! FED-i krahasoi periudhën e gripit spanjoll 1918-1919, me “sjelljen” e dy qyteteve amerikane: St. Luis që duke zbatuar në mënyrë rigoroze karantinën jo vetëm që pati më pak humbje njerëzore, por e filloi ringritjen ekonomike më shpejt dhe më intensivisht; me Filadelifian e cila nuk e trajtoi me seriozitetin e duhur pandeminë duke zbatuar pjesërisht karantinimin dhe distancimin social, dhe për pasojë, jo vetëm që u dëmtua më shumë ekonomikisht, por edhe fazën e ringritjes e pati më të gjatë dhe më pak produktive. Pak a shumë ky lloj krahasimi duket se vlen dhe për shumë raste të ngjashme të asaj kohe në Spanjë, Francë, Gjermani, Itali, Austri, Holandë etj.

Por si duhet “përkthyer” kjo eksperiencë në kushtet e sotme? Shumica e ekonomistëve mendojnë se problemi kryesor është frenimi “që karantina të shndërrohet në një kolaps ekonomik shumë të vështirë për t’u kthyer në normalitet”. Nga ana sociale do të thotë se duhet vazhduar në mbrojtjen e pagave të gjithë punonjësve që humbin punën, ruajtjen e një niveli të pranueshëm të konsumit për individët dhe familjet në vështirësi… por, mbi të gjitha, vëmendja kryesore duhet drejtuar tek sipërmarrja, te biznesi dhe aktivitetet ekonomike në përgjithësi, për t’i furnizuar ato me gjithë likuiditetin e nevojshëm, në mënyrë që të mund të paguajnë detyrimet e tyre dhe eliminimin e çdo mundësie që bizneset të jenë të detyruara të fillojmë në masë ndërprerjen e kontratave të punës me punonjësit e tyre.

Fillimisht, Gjermania, Italia, Franca, Spanja, Britania e Madhe, Greqia dhe së fundmi dhe ShBA-ja, Kanada, Australia, Japonia, Holanda, Belgjika etj., po orientohen shumë në këtë drejtim nëpërmjet paketave ekonomiko-financiare dhe garancive shtetërore, duke garantuar mbështetje financiare për sipërmarrjen në shifra që shkojnë nga 5-25 për qind të PBB-së së tyre. Mekanizmat janë të shumta e specifike nga njëri vend në tjetrin, por logjika e veprimit dhe objektivat për tu arritur janë të njëjta: gjithçka për ta furnizuar me likuiditetin e nevojshëm biznesin dhe mbajtjen e tij në një gjendje “stand by”, të gatshëm për të rifilluar energjikisht aktivitetin menjëherë mbas karantinës. Në këto momente, më i sakrifikuari nga të gjithë duket se është “borxhi publik dhe rritja e tij”, por që në kushtet aktuale duket se është njëkohësisht dhe shëruesi më i madh. Fjala që po sintetizon më së miri këtë zgjedhje të dhimbshme nga pikëpamja e stabilitetit financiar dhe makroekonomik të çdo vendi është rritja e borxhit publik si recetë tantum, që do të thotë një e vetme që përdoret vetëm një herë në situata të jashtëzakonshme, pra është e pranueshme dhe justifikueshme.

Në Shqipëri, në kuadrin e dilemës dhe debateve se kur do jetë piku i përhapjes së koronavirusit dhe kur fillon faza rënëse apo zbritëse e tij, po debatojmë po kaq intensivisht edhe për fillimin e zbutjes së karantinës ekonomike, d.m.th. kur duhet të fillojmë të zbusim masat bllokuese të mjaft bizneseve, sidomos ato të sektorëve prodhues e shërbimeve. Duket se duke filluar nga kjo javë, priten disa masa lehtësuese për mjaft aktivitete prodhuese e biznese që mund t’i rikthehen punës, natyrisht duke zbatuar me rigorozitet gjithë arsenalin e masave mbrojtëse dhe distancimin social.

Megjithë presionin e madh të mjaft bizneseve për të rifilluar aktivitetin e tyre dhe presionin tjetër të humbjeve të mëdha ekonomike, financiare e sociale që pëson ekonomia dhe buxheti jonë nga çdo ditë bllokimi, mendoj, referuar logjikës së “ekonomisë së koronavirusit”, që të jemi më të kujdesshëm në këtë drejtim. Më mirë të përballojmë edhe dy apo tre javë një çmim më të lartë buxhetor duke ndihmuar maksimalisht me likuiditet (apo mundësi e lehtësi të ndryshme aksesi në likuiditet) bizneset për t’i mbajtur në gjendje “stand by” – biznesin e mesëm, të madh dhe korporatat, e sidomos ato që kanë nivele të larta punësimi (që vërtet zënë 1.2 për qind të numrit të ndërmarrjeve në Shqipëri, por që kanë numrin e të punësuarve me 42.3 për qind të punonjësve në shkallë vendi).

Në këtë rrjet hyjnë fabrikat prodhuese, ndërmarrjet e mëdha, minierat, rrjetet e supermarketeve dhe shumë e shumë biznese që kanë në brendësi të tyre nga 50-5000 mijë të punësuar të cilat duhet të jenë në gjendje të rifillojnë aktivitetin normalisht mbas fazës së karantinës, ndërkohë që për të vetëpunësuarit apo biznesin mikro, mbulimi i pagave dhe lehtësimi apo shtyrja e pagesës së disa detyrimeve fiskale të tyre mund të jetë një recetë e vlefshme që ato të mos dëmtohen rëndë nga kjo situatë dhe të jenë në gjendje të rifillojnë aktivitetin kur ta lejojë situata sanitare shëndetësore, d.m.th. kur të bindemi se kurba e përhapjes së koronavirusit është në zbritje të qëndrueshme.