LAJMI I FUNDIT:

EJA DHËMBJE!

EJA DHËMBJE!

Poezi nga: Delmira Agustini
Përktheu: Maksim Rakipaj

Eja dhëmbje! Krahu yt i zi korb
mbi ballë më godet dhe shpirt i nxirë
porsi zambak i vyshkur ca më mirë
ka për ta ndjerë goditjen e fortë.


Derdhu brenda meje, në timen fjalë,
nëpër trupin tim bashkë me gjakun shkrihu
në shesh të dënimit dërgomë lidhur
dhe hipmë në skelë drejt në litar.

Pa mëshirë. Ngul thikën, lidhma lakun!
Do të këndojë gurgullim i gjakut
për ty do të thurë një elegji.

Shpirti im poet, krahu yt i rëndë
si fara në tokë ka për të rënë
dhe ka për të mbirë një poezi.