Liga Premier ka një listë trajnerësh spanjollë që bëjnë diferencën – dhe ata që e ndjekin futbollin e dinë këtë. Andoni Iraola iu bashkua Pep Guardiolës, Mikel Artetës dhe Unai Emerit disa sezone më parë, dhe puna e tij te Bournemouth ka qenë një bekim, si në aspektin sportiv ashtu edhe financiar.

Skuadra nga jugu i Anglisë u kthye në një nga surprizat e Ligës Premier sezonin e kaluar. Përballë “Big Six” dhe rivalëve të rinj si Aston Villa, Newcastle e Nottingham Forest, ata arritën të luftonin për një vend në garat evropiane dhe e mbyllën kampionatin në vendin e nëntë.


Ky sukses e vuri Iraolën në qendër të vëmendjes së klubeve të mëdha evropiane – por njëkohësisht i hapi rrugën shpërbërjes së mbrojtjes së tij.

Shitjet e mëdha

I pari që u largua ishte qendërmbrojtësi spanjoll Dean Huijsen, për të cilin Real Madrid pagoi klauzolën e lirimit prej 62 milionë eurosh. Më pas, Milosh Kerkez u transferua te Liverpool për pak më shumë se 45 milionë euro, duke plotësuar nevojën e “The Reds” për një mbrojtës të majtë.

Largimi i tretë ishte ai i ukrainasit Illia Zabarnyi, që kaloi te Paris Saint-Germain për rreth 60 milionë euro, pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore.

170 milionë euro për tre lojtarë

Në total, Bournemouth arkëtoi gati 170 milionë euro nga shitja e tre lojtarëve të rinj – një 20-vjeçar, një 21-vjeçar dhe një 22-vjeçar – te gjigantët e futbollit: Real Madrid, Liverpool dhe PSG.

Kjo ishte një mbrojtje që mund të garantonte të ardhmen e klubit për vite me radhë, por u “sakrifikua” nga suksesi dhe interesi i madh i tregut.

Tani, Iraola përballet me sfidën e madhe të rindërtimit dhe mbajtjes së Bournemouth në nivelin më të lartë të Premier League edhe këtë sezon. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app