Në seancën e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari për krime lufte në Izbicë më 1999, Muhamet Alidemaj u deklarua i pafajshëm.

Alidemaj tha se tash e sa vite po mbahet padrejtësisht në paraburgim, por pret që drejtësia të vihet në vend, raporton “Betimi për Drejtësi“.


“I pafajshëm 100%, 1 milion për qind. Që 4 vite e 7 muaj unë po mbahem në paraburgim dhe është duke u bërë një padrejtësi shumë e madhe ndaj meje”, tha Alidemaj.

Mbarëvajtja e kësaj seance po vazhdon me probleme për shkak se energjia eleketrike po ndalet kohë pas kohe.
Raporti do të përditësohet.

Ndryshe, edhe në seancën fillestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë.

Ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Ndërsa, aktakuza thotë se burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit. Pas dy muajve, thuhet se i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.