Edhe Federata Evropiane e Gazetarëve reagon pas deklaratave të Sami Kurteshit ndaj mediave

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërhyjë urgjentisht për t’i dhënë fund, siç thotë ai, fushatës së shpifjeve dhe denigrimit ndaj gazetarëve, të cilën po e zhvillon një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Reagimi i Gutierrezit është publikuar përmes një postimi në Facebook, ku ai kritikon ashpër deklaratat e Sami Kurteshit, i cili e ka cilësuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) si një “aleancë e grupeve kriminale”.
Sipas tij, një krahasim i tillë është i papranueshëm dhe denigrues për një organizatë profesionale të respektuar në nivel evropian.
Ai thekson se tolerimi i këtij lloj gjuhe nga ana e pushtetit i dëmton gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe imazhin e vendit, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund ta bëjë qeverinë bashkëpërgjegjëse për sulmet potenciale ndaj mediave.
“Z. Kurti, duke toleruar shpërthime të tilla, ju po dëmtoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vendin tuaj duke lejuar që partia juaj, VV, të denigrojë këdo që guxon t’ju mbajë ju dhe politikëbërës të tjerë përgjegjës. Turp për partinë tuaj! Ju bëj thirrje që t’i jepni fund këtij kërcënimi para se të jetë tepër vonë.
"Kam parë shumë gazetarë të vuajnë nga abuzimi dhe sulmi fizik, shumë shpesh pasi janë denigruar publikisht. Ju keni përgjegjësinë t’i jepni fund këtyre praktikave mafioze. Përndryshe, do të jeni bashkëpunëtorë në to”, ka shkruar ai.
EFJ është një nga organizatat më të mëdha të gazetarëve në Evropë dhe ka qenë vazhdimisht në mbështetje të lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në rajon.



















































