Edhe Abdixhiku i shoqëruar me bashkëshorten e tij të pranishëm në ceremoninë e kurorëzimit të Teuta Rugovës

Sot në Prishtinë, në ambientin solemn të Katedrales “Nënë Tereza”, u zhvillua ceremonia e kurorëzimit të çiftit Teuta Ibrahim Rugova dhe Agron Nikë Gjeloshi.
Në këtë ditë të veçantë për familjet Rugova dhe Gjeloshi, të pranishëm ishin të afërm, miq dhe personalitete të njohura të jetës politike e shoqërore në Kosovë.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixiku, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Albina.

Në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Abdixhiku shpërndau disa fotografi nga ceremonia, duke shkruar se ishte kënaqësi të ishte pjesë e kurorëzimit.
"Një ceremoni plot dritë, ndjenjë dhe dinjitet, në frymën e një trashëgimie të thellë familjare e kombëtare. Teutës dhe Agronit, të rritur në familje të lidhura ngushtë me rrugëtimin historik të Kosovës, ju uroj jetë të gjatë, të mbushur me dashuri, respekt e bekime të pafundme. Urime Familjes Rugova dhe Gjeloshi për këtë ditë gëzimi. Në veçanti, urime zonjës Fana, e cila vërtetë shkëlqente në këtë ditë", ka pohuar ai.
Ndryshe, ceremonia simbolizoi bashkimin e dy familjeve me histori të pasura dhe kontribut të njohur në rrugëtimin kombëtar të Kosovës, ndërsa u përjetua si një moment i veçantë që do të mbetet i paharruar për të gjithë të pranishmit. /Telegrafi/




























































