E shkarkuan përzgjedhësin pas humbjes nga Kosova, Suedisë i ofrohet trajneri i njohur anglez

Ish-trajneri i Chelseat, Graham Potter, ka pranuar publikisht se është i gatshëm të marrë drejtimin e Kombëtares së Suedisë, teksa aktualisht ndodhet në vendin skandinav dhe po shqyrton të ardhmen e tij pas aventurës në Ligën Premier.
Suedia është në kërkim të një përzgjedhësi të ri, pasi shkarkuan Jon Dahl Tomasson pas humbjes nga Kosova, si pasojë e rezultateve negative në këto kualifikuese, meqenëse renditen në pozitën e fundit të tabelës me vetëm një pikë.
“Jam aktualisht në Suedi, në shtëpinë time këtu. Jam mes dy punëve, sapo kam lënë Ligën Premier. Jam i hapur për çdo mundësi ku mendoj se mund të ndihmoj. Detyra e trajnerit të kombëtares suedeze është fantastike”, deklaroi Potter për Fotbollskanalen.
Anglezi 50-vjeçar është i njohur në Suedi për periudhën e tij të suksesshme me Ostersund, klub që e udhëhoqi nga kategoria e dytë deri në elitë, duke fituar Kupën e Suedisë dhe siguruar pjesëmarrjen historike në Ligën e Evropës, përpara se të transferohej në Angli.

Pas aventurave me Swansea, Brighton, Chelsea dhe West Ham, Potter thekson se financat nuk janë më një faktor vendimtar në vendimmarrjet e tij.
“Kam qenë me fat që kam pasur një karrierë të tillë. Kjo më ka vendosur në një pozitë shumë të mirë financiarisht. Tani kam arritur në një pikë ku nuk më duhet të mendoj për aspektin financiar për të pranuar apo refuzuar një punë”.
Suedia mund t’i bëj një nder Kosovës muajin e ardhshëm pasi nëse arrin ta ndalë Zvicrën dhe njëkohësisht “Dardanët” e mposhtin Slloveninë, atëherë kombëtarja që do të shkojë në Kupën e Botës 2026 do të vendoset në Prishtinë./Telegrafi/




















































