Pas hetimeve të policisë dhe Prokurorisë lidhur me rastin e dyshuar të dhunimit të një të mituri në Ferizaj, autoritetet kanë njoftuar se një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

“Më 16.12.2025 pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia.


Rasti ishte raportuar më 15.12.2025, kur Policia e Kosovës në stacionin policor të Fushë Kosovës ka pranuar informacion për një i mitur të dyshuar se ishte abuzuar seksualisht.

Viktima, i mitur ka treguar se përmes rrjetit social TikTok ishte njohur më parë me personin që dyshohet të ketë kryer veprën. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në territorin e Ferizajt.

Specialistët e Policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim për veprën penale “dhunimi”.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dje është bërë e ditur se çështja është në fazë preliminare dhe po shqyrtohen provat dhe informacionet, ndërsa procedurat i nënshtrohen rregullave të procedurës për të mitur, duke qenë se viktima është i mitur dhe informacione të tjera janë konfidenciale. /Telegrafi/