E kishte djegur veturën për të inskenuar vdekjen e tij në Pukë, ekstradohet i dyshuari nga Italia

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se është ekstraduar nga Italia i dyshuari D.P, për djegien e automjetit me të cilin lëvizte në fshatin Gjegjan, Pukë, me qëllim inskenimin e vdekjes së tij.
Policia tutje njofton se rasti kishte ndodhur në vitin 2021.
“Në vijim të bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma,u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri,të shtetasit italian,të shpallur në kërkim ndërkombëtar, D. P., 50 vjeç.
Në vitin 2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi akuza për veprat penale: ‘Mashtrimi’,’Dhunimi i varreve’, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, ‘Shkatërrimi i pronës me zjarr’ dhe ‘Kalimi i paligjshëm i kufirit’.
Në vitin 2021, ky shtetas dyshohet se ka djegur automjetin me të cilin lëvizte në fshatin Gjegjan, Pukë, me qëllim inskenimin e vdekjes së tij”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


































