Edhe pse tenisi është një nga sportet individuale më të njohura në botë me një traditë mbi 100-vjeçare, topat e verdhë që njohim sot nuk kanë qenë gjithmonë të tillë.

Garat e para të tenisit, përfaqësuar kryesisht nga Wimbledon, datojnë që nga viti 1877. Por për më shumë se një shekull, topat e tenisit ishin vetëm të bardhë ose të zinj. Vetëm në vitin 1972 ndodhi një ndryshim i madh që do të ndikonte në mënyrën se si ky sport shihej nga publiku.


Me ardhjen e televizionit me ngjyra dhe rritjen e shikueshmërisë për sportin e tenisit, producentët kërkuan mënyra për të përmirësuar dukshmërinë në ekran.

Një rol vendimtar në këtë drejtim luajti komentatori legjendar i BBC-së, Sir David Attenborough, i njohur për pasionin e tij për natyrën dhe teknologjinë.

Në atë kohë, Attenborough ishte përgjegjës për përmbajtjen televizive në BBC. Ai vërejti se topat e bardhë dhe të zinj ishin të vështirë për t’u parë në ekranet me ngjyra dhe rekomandoi që ata të bëheshin me ngjyrë të verdhë fluoreshente.

Ky sugjerim u përqafua dhe në vitin 1972 Federata Ndërkombëtare e Tenisit (ITF) e bëri zyrtar ndryshimin.

Ironikisht, turneu më ikonik i këtij sporti – Wimbledon – refuzoi të ndryshonte menjëherë. Turneu londinez vazhdoi të përdorte topa të bardhë edhe për 14 vite të tjera, deri në vitin 1986, kur më në fund pranoi këtë standard që sot është global. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app