Shpërtheu një bombolë gazi në një shtëpi në Mitrovicë, lëndohen tre persona

Sot janë lënduar tre persona si pasojë e një shpërthimi në një shtëpi në Mitrovicë.
Ky shpërthim ka ndodhur në rrugën “Ali Pashë Tepelena”, derisa policia është informuar për rastin rreth orës 16:55, shkruan Telegrafi.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Zahiti ka thënë se dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga një bombolë gazi.
Të lënduarit tashmë janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës “Sami Haxhibeqiri”.
Bëhet e ditur se Policia tashmë është vendin e ngjarjes dhe po merret me trajtimin e rrethanave të ngjarjes.
"Rreth orës 16:55, policia ka pranuar informatë se si pasoj e një shpërthimi në një shtëpi në rrugën “Ali Pashë Tepelena" në Mitrovicë, tre persona kanë pësuar lëndime, të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Bazuar në informatat e para dyshohet se shpërthimi ka ndodhur nga një bombolë gazi. Policia është në vendngjarje dhe po merret me trajtimin e rrethanave të ngjarjes”, ka thënë Zahiti. /Telegrafi/






































