LAJMI I FUNDIT:

Dyshohet se falsifikoi bankënota të dollarëve, arrestohet një person në Pejë

Dyshohet se falsifikoi bankënota të dollarëve, arrestohet një person në Pejë

Një person është arrestuar në Pejë në një operacion të Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nën dyshimin se ka falsifikuar dollarë amerikanë.

Sipas Policisë, hetimi ka filluar pas një denoncimi nga një qytetar i rajonit të Pejës, i cili kishte pranuar një shumë prej 9 mijë dollarësh amerikanë në emër të kthimit të një borxhi për shitblerje veturash.

“Pas dyshimeve për autenticitetin e parave, qytetari ka raportuar rastin tek autoritetet kompetente, dhe pas verifikimeve dhe veprimeve hetimore, është identifikuar dhe arrestuar një person i dyshuar nga qyteti i Pejës, për të cilin ekzistojnë dyshime se ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të Parasë” sipas nenit 296 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.


Policia njofton se shuma e parave të sekuestruara është 9 mijë dollarë amerikanë.

“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës dhe me aktvendim të Prokurorit të Pejës është dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimi është në vazhdim dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur plotësisht rastin. Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente, do të vazhdojë të ndjekë me prioritet çështje të tilla për të garantuar sigurinë dhe integritetin financiar të qytetarëve të vendit”, thuhet në njoftim./Telegrafi/