Dy të rinj nga Kosova, Lorik Ramosaj dhe Lum Jerliu, kanë lansuar një platformë revolucionare me Inteligjencë Artificiale, të quajtur ConfuciusAI, një platformë që synon të ndihmojë nxënësit në mësimin dhe zgjidhjen e problemeve matematikore.

ConfuciusAI është një hapësirë adaptive për matematikën, ku nxënësit zgjidhin probleme me udhëzimin e Inteligjencës Artificiale, ruajnë dhe organizojnë punën e tyre dhe, me kalimin e kohës, ndërtojnë një fletore të plotë matematikore.


Platforma mëson nga mënyra se si secili nxënës zgjidh problemet dhe rekomandon se me çfarë duhet të merret më pas.

“Qëllimi ynë është të sjellim në një shkallë të gjerë disa nga përfitimet e mësimit individual me një tutor: të kuptojmë se çfarë di një nxënës, të identifikojmë boshllëqet në njohuritë e tij dhe të zgjedhim problemin e radhës që do ta ndihmojë të përmirësohet”, ka thënë për Telegrafin një nga krijuesit e platformës, Lum Jerliu.


Sipas Jerliut, ndryshe nga mjetet që thjesht gjenerojnë përgjigje, ConfuciusAI është krijuar për të kuptuar dhe mbështetur të gjithë procesin e të mësuarit të nxënësit.

Platforma e krijuar nga dy të rinjtë shqiptarë përbën një hap të rëndësishëm në fushën e Inteligjencës Artificiale, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

“Gjatë kohës sonë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, zgjidhëm qindra probleme matematikore, por gjithmonë përballeshim me vështirësi për të gjetur materialet e duhura për të mësuar”, theksoi Lorik Ramosaj.

Platforma e dy programerëve përbën një tjetër dëshmi të potencialit të jashtëzakonshëm që të rinjtë nga Kosova po tregojnë në fushën e teknologjisë, programimit dhe Inteligjencës Artificiale.

Me një ide të lindur nga përvoja e tyre, Jerliu dhe Ramosaj kanë arritur të krijojnë një platformë me potencial për t’u përdorur nga nxënës e studentë në mbarë botën.

ConfuciusAI synon të zgjerohet edhe më tej në të ardhmen, duke u shtrirë në fusha të tjera përtej matematikës.

Platforma pritet të jetë e qasshme për përdoruesit anembanë botës, duke e shndërruar këtë projekt të dy të rinjve kosovarë në një nismë me potencial për të marrë përmasa ndërkombëtare. /Telegrafi/