LAJMI I FUNDIT:

Dy takime Kurti-Vuçiq në Bruksel: Opozita vlerëson se nuk ka transparencë as platformë, Qeveria e quan paraqitje dinjitoze

Dy takime Kurti-Vuçiq në Bruksel: Opozita vlerëson se nuk ka transparencë as platformë, Qeveria e quan paraqitje dinjitoze

Nga Muhamet Hajrullahu dhe Jehona Hulaj

Janë mbajtur dy takime të nivelit të lartë në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq janë parë si takime që nuk do të sjellin rezultate konkrete.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po kritikohet për dialog pa platformë, pa transparencë,  për anashkalim të Kuvendit të Kosovës dhe për thyerje parimesh sa i përket temës së dialogut.


Vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit Kurti në emision në RTV Dukagjini kur ishte pyetur për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë mes tjerash kishte thënë:  ‘Është çështje ditësh ose javësh, kurrsesi muajsh. Nuk e di se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë’, kishte deklaruar kryeministri Kurti .

Partitë opozitare PDK e LDK thonë se kryeministri Kurti ka thyer parimet në dialog.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë për Telegrafin se takimet e kryeministrit Kurti me presidentin serb Vuçiq në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë hyrë në një trajektore jashtëzakonisht të paqartë e madje të dëmshme për modelin dhe përmbajtjen e përfaqësimit që i duhet Republikës së Kosovës në këtë dialog.

“Kryeministri Kurti siç duket, ka rënë pre e një pozicioni që Serbia me vetëdije ia ka përgatitur, sepse me propozimet e Kurtit, të cilat në një formë po shmangin esencën e vërtetë të qëllimit të këtij dialogu, kryeministri po etiketohet si palë që nuk është i interesuar për të përmbyllur një marrëveshje finale.Kjo përbën një shkarje në traditën tonë politike dhe shtetërore në kuadër të dialogut me Serbinë, sepse prej se zhvillohet ky cikël i dialogut, ne e kemi nxjerrë palën serbe të pa interesuar për marrëveshje, gjë që tash po merr anë të kundërt”, u shpreh Tahiri.

Ai theksoi se është e paqartë se cila është agjenda dhe qëndrimet zyrtare të qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë proces.

“Kemi parë orvatje të ndryshme, por as qëndrime, as strategji as ekip që negocion për interesat e Kosovës në këtë proces, ende nuk kemi parë nga Qeveria Kurti”, tha Tahiri.

Duke folur rreth transparencës për procesin e dialogut, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri u shpreh se kryeministri Kurti nuk ka raportuar asnjëherë deri më tash për zhvillimet sa i përket këtij procesi.

“Përkundër faktit se sa ishte opozitar, Albin Kurti vazhdimisht ka kërkuar transparencë për dialogun edhe pse transparenca nuk ka munguar, prej ditës që është në pushtet, kryeministri Kurti nuk ka raportuar në Kuvend as për zhvillimet, as për ecurinë dhe as për çështjet me të cilat është duke u ballafaquar në këtë proces”, tha Tahiri.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Teuta Sahatqija ka thënë për Telegrafin se takimet e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel ishin për poena politik e konsum të brendshëm.

“Takimet e kryeministrit Kurti ishin takime për poena politik për konsum të brendshëm dhe në fakt tregon vazhdimin e mungesës së marrjes së përgjegjësisë për përfundimin e suksesshëm të dialogut. Kryeministri shkoi në vizitë pa platformë, pa raportuar në Kuvend dhe pa koordinim me opozitën”, ka thënë Sahatqija.

Ajo më tej ka theksuar se “performanca e Vuçiqit në anën tjetër kinse shumë i brengosur për dialog, për serbët në Kosovë etj, në fakt ishin dedikuar për BE-në duke e treguar “Serbinë” si konstruktive ndërsa “Kosovën” si bllokuese”.

Sa i përket transparencës në dialog, Sahatqija thot se mungesa e transparencës tregon seriozitetin që ka kjo Qeveri për përfundim të dialogut.

“Mungesa e raportimit paraprak në Kuvend sikur që përcaktohet me rezolutën e nxjerr nga Kuvendi dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, flet për mungesën e transparencës dhe vullnetin për tu marrë seriozisht me përfundimin e dialogut”, u shpreh Sahatqija.

Telegrafi ka provuar të kontaktoj edhe me Shefin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri por i njëjti deri më tani nuk ka kthyer përgjigje për të komentuar dialogun e deritashëm të udhëhequr nga kryeministri Kurti.

Për dialogun dhe mungesën e transparencën janë deklaruar edhe nga shoqëria civile.

KDI një organizatë vendore që bënë monitorimin e dialogut Kosovë-Serbi kanë thënë se kryeministri Albin Kurti po vazhdon takimet në Bruksel duke injoruar opozitën dhe duke mos informuar qytetarët.

Sipas KDI-së as takimi i fundit në Bruksel nuk kishte detaje paraprake nga zyra e kryeministrit.

“Nuk është vërejtur ndonjë  hap i kryeministrit Kurti për t’u dakorduar me partitë opozitare e as ndonjë adresim publik për qytetarët e Kosovës. Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës nuk është njoftuar as për takimin e parë të mbajtur në Bruksel më 15 qershor siç nuk ka pasur një raportim të Kryeministrit Kurti për pozicionin që Qeveria e Kosovës do të mbajë në këtë takim të dytë, përfshirë dhe temat që do të diskutohen” thuhet në reagimin e KDI-së pak para takimit të fundit të kryeministrin me përfaqësuesin e Serbisë Vuçiq.

Sipas tyre përfshirja e opozitës dhe  informimi qytetarëve duhet të garantohet drejtpërdrejtë nga kryeministri mbi procesin e dialogut dhe jo vetëm nga informacionet e shkëputura që ofrohen nga konsensusi politik mbeten qenësore për procesin e dialogut, andaj presim që Kryeministri Kurti të ndërmarr hapa konkret në këtë drejtim.

Por me kritikat e opozitës dhe shoqërisë civile nuk pajtohet Qeveria e cila e vlerëson lartë paraqitjen e Kurtit në Bruksel.

Ndryshe nga partitë politike opozitare, Qeveria e vlerëson sonë lart paraqitjen e Kurtit në Bruksel.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu në një prononcim për Telegrafin, ka deklaruar se kryeministri Kurti është treguar transparent sa i përket temave që ka diskutuar në tyrezën e dialogut në Bruksel.

“Kryeministri Kurti është deklaruar pas secilit takim në lidhje me përmbajtjen, propozimet dhe dokumentet që Republika e Kosovës ka prezantuar në ato takime. Nga takimi i parë u bënë të ditura katër propozimet e kryeministrit Kurti, kurse nga takimi i dytë u bënë të ditura dy dokumentet e prezantuara në atë takim nga kryeministri dhe zëvendëskryeministri Bislimi dhe librat që kryeministri ia dha por që Vuçiq nuk i pranoi, e që përshkruajnë dhe dokumentojnë krimet e Serbisë ndaj popullatës shqiptare. Qytetarët janë në dijeni për propozimet, kërkesat dhe dokumentet e prezantuara nga Republika e Kosovës nga këto takime, sepse kryeministri Kurti është treguar i hapur dhe transparent”, ka thënë Kryeziu.

Sa i përket kritikave të opozitës për mungesë të platformës politike në dialog, zëdhënësi i Qeverisë është shprehur se “platforma merr kuptim atëherë kur ka agjendë të dakorduar”.

“Sa i përket platformës, ajo merr kuptim atëherë kur ka agjendë të dakorduar të kapitullit të ri të dialogut. Platforma para agjendës do të ishte gabim në hapa. Republika e Kosovës tash është palë në tryezë e jo temë e saj. Ajo është palë proaktive si rrallë herë më parë. Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të qartë se çfarë pret nga ky proces. Ajo është njohja e ndërsjellë në mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Kryeziu.

Në anën tjetër analistët e vlerësojnë si të drejtë qasjen e kryeministrit Albin Kurti në dialog, mirëpo shprehen se duhet të ketë më shumë transparencë rreth këtij procesi.

Analisti politik, Azem Vllasi në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se gjatë dy takimeve Kurti e Vuçiq u njoftuan dhe ia matën pulsin njëri-tjetrit.

“Kurti bëri mirë që e nervozoi tej mase Vuçiqin duke shtruar tema që palës serbe jo vetëm që nuk u pëlqejnë (ballafaqimi me krime të kryera ndaj shqiptarëve, kërkesa për njohje të Kosovës si shtet) por edhe i nervozojnë tej mase”, u shpreh Vllasi.

Ai shtoi se në vazhdim Kurti duhet të përqendrohet në tema që duhet të jenë pjesë përmbajtëse e marrëveshjes finale.

“Aty ka vend edhe për tema nga ajo që Kurti ia propozoi Vuçiqit në pesë pika e që ai i refuzoi. E kjo gjithsesi nënkupton njohjen reciproke ngase çfarëdo marrëveshje e posaçërisht kjo që pretendohet të jetë marrëveshje finale për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi mund ta aprovojnë shtetet që e njohin njëri tjetrin”, tha Vllasi.

Në anën tjetër profesori i shkencave politike, Belul Beqaj u shpreh se qasja e Kurtit është e drejtë por nuk është realiste.

“Mendoj se në takimin e tretë më mirë dhe korrekte do të jetë sikur Albin Kurti publikisht dhe pa mëdyshje të thotë se nuk bënë kurrfarë marrëveshje me ish bashkëpunëtorin e Slobodan Millosheviqit, ngase qasja e tij është e drejtë por nuk është – realiste”, ka thënë Beqaj për Telegrafin.

Sa i përket transparencës në këtë proces, të dy analistët thonë se duhet të ketë transparencë më të madhe.

“Duhet të ketë më shumë transparencë lidhur me dialogun me Serbinë, posaçërisht duhet që Kuvendi të informohet rregullisht dhe aty të ketë debat”, u shpreh Azem Vllasi. Beqaj ka theksuar se nuk pret që të ndryshoj trendi sa i përket transparencës në këtë proces.

“Nuk mund të pritet transparencë nga një proces që ndikon vendosmërisht në ekzistencën politike. Fatkeqësisht, fjalët publike janë ne disporpocion me faktet. Nuk pres se ky trend do të ndryshoj, përkundrazi do të jetë edhe më mistik”, tha Beqaj.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një ndërprerje 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori