Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike, ku për të pestën herë dështoi të konstitutohet Kuvendi i Kosovës.

Haradinaj në profilin e saj zyrtar në platformën "X", shkroi se LVV nuk i ka as numrat për Qeverinë, transmeton Telegrafi.


"Edhe po t’ia votojë opozita sot Vetëvendosjes kandidaten për Kryeparlamentare pa marrëveshje politike, votat për qeveri NUK janë! Me gjithë respektin, por kryesuesi i rastësishëm z. Dehari NUK mund t’ia bëjë as konsultimet e as votat e shumicës Kurtit. Kjo përgjegjësi i takon ekskluzivisht atij", theksoi ajo.

Tutje, ajo ka shkruar se Kurti ka kokëfortësi për të mos bashkëpunuar me partitë politike PDK dhe LDk, prandaj kjo do ta shpie vendin në zgjedhje të reja.

"Kokëfortësia e tij për të mos ia zgjatë dorën e bashkëpunimit politik partive të mëdha (PDK ose sërish LDKsë), do t’a shpie vendin në zgjedhje të reja, ose do të paguajë ‘shtrenjtë’ koalicionin me partitë e vogla e komunitetet. Të dy skenarët i bëjnë keq Kosovës", ka deklaruar ajo.

Ndryshe, Albulena Haxhiu ka dështuar sërish të votohet për kryetare të Kuvendit.

Ajo mori vetëm 57 vota, kurse 46 deputetë ishin kundër dhe tre deputetë abstenuan.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari pas votimit ka ndërprerë seancës, ku tha se vazhdimi i saj do të jetë ditën e premte, në ora 10:00.