Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në një lokal në komunën e Istogut, ku dy persona kanë mbetur të therur me thikë pas një përleshjeje.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka bërë të ditur se incidenti është raportuar rreth orës 18:35.


“Policia është njoftuar për një përleshje në një lokal në komunën e Istogut. Si pasojë e ngjarjes, dy persona janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Istog, ku dyshohet se janë therur me armë të ftohtë – thikë. Njësitë policore janë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë hetime intensive për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e rastit,” ka deklaruar Gashi.

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e personave të përfshirë dhe për zbardhjen e plotë të motivit të ngjarjes.