Dy klube po ëndërrojnë transferimin e Marmoush

Omar Marmoush nuk ka një rol të rëndësishëm te Manchester City dhe po mendon seriozisht për një transferim, me qëllim që të luajë më shumë.
Sulmuesi egjiptian dëshiron të qëndrojë në Angli dhe për këtë arsye ka tërhequr vëmendjen e dy klubeve të Ligës Premier: Tottenham Hotspur dhe Aston Villa.
Transferimi i Antoine Semenyo te Manchester City ka rritur konkurrencën në repartin ofensiv.

Trajneri Pep Guardiola e konsideron Semenyon një lojtar kyç, çka e bën edhe më të vështirë për Marmoush të gjejë hapësira në formacion.
Marmoush, 26 vjeç, ka kontratë me Manchester City deri në vitin 2029, por për shkak të mbingarkesës në sulm, ai po shqyrton mundësinë për t’u larguar dhe për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.
Tottenham dhe Aston Villa interesohen për Marmoush

Sipas CaughtOffside, Marmoush i jep përparësi vazhdimit të karrierës në Ligën Premier, ku ende nuk ka treguar të gjithë potencialin e tij.
Në ditët e fundit të afatit kalimtar të dimrit, Tottenham dhe Aston Villa kanë shtuar interesimin për sulmuesin egjiptian.
Të dy klubet po ndjekin nga afër situatën dhe Marmoush mund të jetë një nga lëvizjet surprizë në fund të afatit kalimtar.
Gara mes Spurs dhe Aston Villa për shërbimet e tij pritet të jetë e fortë. /Telegrafi/





















































