Dy javë pa paga, stafi i RTK-së paralajmëron protesta të reja nëse pagat nuk ekzekutohen sot

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës ende nuk i kanë marrë pagat për muajin korrik.
Pak ditë më parë, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) protestoi para Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe Presidencës, duke kërkuar që të bëhet transferimi i buxhetit për RTK-në dhe që punëtorët të kompensohen për punën e kryer, transmeton Telegrafi.
Sindikata po ashtu ka paralajmëruar se nëse pagat nuk ekzekutohen ditën e premte, atëherë nga java e ardhshme do të fillojnë me protesta të pandërprera.
"Nëse deri nesër nuk bëhet ekzekutimi i pagave për të gjithë punëtorët e RTK-së, nga fillimi i javës së ardhshme do të fillojmë me protesta të pandërprera në RTK, pa dallim sektori apo pozicioni pune. U bëjmë thirrje për bashkim të gjithë punëtorëve të RTK-së – askush nuk mund të luajë me dinjitetin tonë, me ekzistencën e RTK-së dhe me familjet tona. Kërkesa jonë është e qartë: Pagat menjëherë", thuhet në reagim.
Ndërkohë, gazetarët dhe punonjësit e mediumit publik kanë nisur të shprehin hapur pakënaqësitë e tyre për vonesën e pagave, duke theksuar se kjo situatë po ndikon negativisht në punën dhe funksionimin normal të institucionit.
Kërkesa e tyre mbetet e qartë, pagesa sa më e shpejtë për punën e kryer dhe garantimi i financimit të qëndrueshëm për RTK-në.
"45 ditë pa rrogë! Kujt po i konvenon kjo gjendje? Dhe, Cili është qëllimi që, për herë të parë, RTK ka mbetur pa buxhet, ndonëse ekzistojnë praktika që do të mundësonin alokimin e mjeteve menjëherë? E praktikat njihen edhe nga Gjykata Kushtetuese si një formë e drejtë veprimi në situata ngërçi. Paga nuk është shpërblim — është e drejtë dhe obligim ligjor i punëdhënësit ndaj të punësuarit! Prandaj, përgjegjësit aktualë duhet të marrin përgjegjësi tani, kurse secili punonjës ka të drejtë ta kërkojë pagën e vet", ka shkruar në reagimin e saj Blerta Foniqi Kabashi.
Po ashtu edhe Alban Selimi ka shkruar se është e turpshme ajo që po ndodhë me të punësuarit në RTK.
"Si njeri qe s’i përkas asnjë sindikatë në RTK dhe që ende nuk e ka marrë rrogën e korrikut, deri të hënën do të pres reagimet kolektive dhe do të mbështes çdo iniciativë, në realizimin e njërës nga të drejtat tona elementare - pagesën sipas afatit ligjor për punën e bërë", ka theksuar ai.
Kurse, gazetarja tjetër Fitore Rexhepi ka shkruar "Mjerim! Sot mbi 700 punëtorë të RTK-së janë bërë mish per top".
Ndërsa, gazetarja Jehona Zhitia, duke iu kundërpërgjigjur zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se nuk është luks të kërkojë pagën, dhe se kjo është e drejtë themelore.
"14 dite pa paga do të thotë 14 ditë me fatura, kredi e familje që presin. Në vend të kritikës ndaj mbi 700 punëtorëve të RTK-së do të ishte më e rrugës të kritikohej vonesa që po cenon jetesën e tyre. Moszgjidhja e financimit të mediumit publik që nga themelimi i tij, është përgjegjësi e të gjithë udhëheqësve të shtetit ndër vite", tha Zhitia. /Telegrafi/



































