Duka: Futbolli kosovar ka fituar dinjitet dhe peshë në arenën ndërkombëtare

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka marrë pjesë në një ceremoni të veçantë në Prishtinë, organizuar për të nderuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kreu i FFK-së, Agim Ademi, duke dëshmuar forcimin e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë mes institucioneve të futbollit të të dy vendeve.
Duka e ka cilësuar këtë moment si një dëshmi të peshës që ka fituar futbolli kosovar në arenën ndërkombëtare dhe ka përsëritur përkushtimin e FSHF-së për ta mbështetur Kosovën në çdo hap të këtij rrugëtimi të përbashkët.
“Në Prishtinë, për të nderuar Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino – një mik i vërtetë i Kosovës dhe i futbollit tonë. Një ceremoni domethënëse, nën kujdesin e Presidentes Vjosa Osmani dhe mikut tim, President Agim Ademi, që tregoi sa dinjitet dhe peshë ka fituar futbolli i Kosovës në arenën ndërkombëtare."
"Unë dhe Federata Shqiptare e Futbollit do të jemi gjithmonë pranë Kosovës në këtë rrugëtim të përbashkët”, ka shkruar Duka. /Telegrafi/




















































