Dubova Reisen konfirmon aksidentin e autobusit në Gjermani, thotë se tre udhëtarë janë lënduar lehtë

Një autobus me pasagjerë nga Kosova u përfshi në një aksident trafiku në Gjermani. Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në autostradën Salzburg–Mynih, në afërsi të daljes Irschenberg.
Autobusi që u aksidentua i përket kompanisë Dubova Reisen, ku edhe kanë njoftuar zyrtarisht se nga aksidenti lëndime kanë marrë tre persona.
"Dubova Reisen njofton opinionin publik dhe mediat se më datën 20 gusht 2025, rreth mesnatës, një nga autobusët tanë, gjatë udhëtimit në autostradën A8, pranë Irschenberg (Gjermani), është përfshirë në një aksident me një kamion. Në autobus udhëtonin 41 pasagjerë. Si pasojë e përplasjes, 3 persona janë lënduar lehtë, dhe të gjithë kanë marrë ndihmë mjekësore të menjëhershme në vendngjarje", thuhet në njoftimin e kompanisë.
Më tej, ata kanë falënderuar ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit, policinë dhe personelin mjekësor për reagimin e shpejtë dhe profesional.
"Pasagjerët e tjerë të pa lënduar janë transportuar me një autobus tjetër drejt destinacionit të tyre. Dubova Reisen është duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet gjermane për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Siguria e udhëtarëve ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë kryesor".
Ndryshe, mediat gjermane njoftuar se sipas të dhënave paraprake të policisë, shoferi i autobusit e kishte vënë re me vonesë kamionin me rimorkio dhe, ndonëse u përpoq të devijonte në të majtë, u përplas me pjesën e pasme të rimorkios. /Telegrafi/




















































