Nga: Faik Konica

…Ç’është liria? – Më mbetet pakë kohë akoma. Dua të marr shpatën, t’u çanj kokën gomarëve, edhe, në vënt të tmerit, të kllas këtë: ç’është liria? Të mos të kisha nisur këtë fletën (vaftë në djall!) s’do të humbja kokën time të mësonj gomarëve ç’është liria? Dy muaj janë që u nis kio punë dhe që tani jam lodhur nga shkaku i gomarëve. Më mirë të shesë pleh njeriu se të nis punë për shqiptarët. Janë nj’a 50 shqipëtarë që kuptojnë ç’është liria: ata nukë më shkrojtin gomarërira. Se dinë që ësht’ i lirë njeriu të thotë si e ka në funt të shpirtit. Po të tjerët janë gomarë, dhe, si të shtyp 12 numëra; mbas fjalës që dhaçë, a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të vete të shes mut, në vend që të mbanj të përkohëshmen; më mirë të shesë mut njeriu, se të shkrojë për shqipëtarët. Gomarëve pra le të përpiqem akoma njëherë t’u mbush kokën me këtë:

Ç’është liria?
Liria është të mundet njeriu:
1) të besojë ç’i do zëmbëra;
2) të thotë ç’i do zëmbëra
3) të shkrojë ç’i do zëmbëra;
4) të bëjë ç’i do zëmbëra, veç ato që janë kundrë lirisë tjatëri njeriu.

Shqipëtarët më të shumtë janë shpirtrobër. Unë thom: “Ata janë të lirë të kenë fe, janë të lirë të thonë që kanë fe, janë të lirë të shkrojnë që feja ësht’ e mirë, janë të lirë të bëjnë ç’urdhëron feja”. Dhe kur më dërgojnë artikëlla për të lëvduar ferat, i shtyp (i botoj) se s’kam të drejtë t’u pres lirinë e fjalës. Po kur unë shkronj që më vjen për të vjellur për çdo fe, ata shpirtrobërit më thëresin: “S’të lëshojmë lirinë të shaç ferat!” S’më lëshoni të shaj ferat? Por unë, shpirtrobër, pse u lëshonj lirinë t’i lëvdoni ferat? A kini, në mos fillosofi, pakëzë mënt për të kuptuar që fjala juaj është fjalë gomari?

Vëllezër shqipëtarë! Mjaft vojti e gjora Shqipëri jetën e kurmit, duhet dhe ajo të nisjë tani të rrojë jetën e mëndes (La vie intellectuelle). Jeta e mëndes është të hapim të tërë zëmbërat t’ona, të flasim vëllezërisht njëri kundër fjalët tjatërit, të kuvëndojmë si njerëzit e qytetëruar qi mlidhen të lëftojnë me fjalë për ideat e tyre. Mos besoni se kshu do të largonemi njëri-tjatërit! Përkundrë, do të qasemi më shumë, se do të njihemi më mirë, s’do të kemi mendime të fshehura, dhe do të kuptojmë që të tërë jemi të lidhurë me dy lidhje të arta: dëshërimi i Vërtetës e dëshërimi i Shqipërisë. Për të qënë e mirë e përkohëshmja (gazeta), duhet të jetë si Pazar, – nji Pazar ku gjenden njerëz të pasur, njerëz të varfër, gra, burra, djem, të krishterë, muslimanë, të pafe, të tërë tok, dhe, duke kuvënduar, miren vesh për mbrothësin’ e punërave të tyre. /Revista “Albania”, viti 1987/