Dua Lipa vazhdoi të tërhiqte vëmendjen e medieve ndërkombëtare, teksa u shfaq mbrëmjen e së enjtes në një darkë në Alba, Los Angeles.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, 30 vjeçe, zgjodhi një pamje elegante me një bluzë argjendi me xixa dhe një prerje të guximshme, të kombinuar me pantallona të zeza klasike dhe aksesorë të spikatur, përfshirë unazën e saj të fejesës me diamant.


Kjo paraqitje vjen vetëm pak ditë pasi artistja elektrizoi publikun në Teksas, ku gjatë turit të saj “Radical Optimism” u ngjit në skenë së bashku me Dallas Cowboys Cheerleaders, duke kërcyer në një performancë surprizë që u prit me ovacione.

Në skenë, ajo bëri edhe një homazh të veçantë për skuadrën e njohur të futbollit amerikan, duke veshur fanellën e tyre.

Dua ndodhet aktualisht në SHBA për të vijuar turin botëror, ndërsa burime pranë saj kanë bërë të ditur se këngëtarja ka marrë leje mjekësore për të vazhduar pas një dëmtimi në shpatull.

Ajo pritet të udhëtojë drejt Kalifornisë për koncertet e radhës në Kia Forum më 4 tetor.

Ndërkohë, në jetën personale, Dua dhe i fejuari i saj, aktori britanik Callum Turner, po kërkojnë një rezidencë luksoze me vlerë rreth 9 milionë funte (afërsisht 10.3 milionë euro) në Marbella ose Andalucia, duke synuar privatësi dhe qetësi larg zhurmës së jetës publike.

Përveç planeve për martesë, çifti ka nisur edhe një bashkëpunim profesional, duke themeluar kompaninë e prodhimit TwentyTwo Films Limited, duke e çuar lidhjen e tyre në një tjetër dimension. /Telegrafi/