Dronët e lirë dhe vdekjeprurës të Iranit ia kanë bërë një favor ShBA-së

Pentagoni me siguri e di se ka marrë fund epoka e mbështetjes vetëm në armë të sofistikuara dhe të shtrenjta.
Nga: Damir Marusic / The Washington Post
Përkthimi: Telegrafi.com
Tre javë pas fillimit të Operacionit Furia Epike [Epic Fury], është e qartë se arma përcaktuese e luftës është ajo që po përdor armiku. Droni i lirë dhe vdekjeprurës Shahed i Iranit, i cili tashmë ka dëshmuar efektivitetin e tij shkatërrues kur është përdorur nga Rusia për të mbingarkuar mbrojtjen ukrainase, ka sjellë përfitime edhe për Iranin. Shahed-ët nuk do ta fitojnë luftën për Teheranin. Fuqia e zjarrit është aq e pabalancuar në favor të Shteteve të Bashkuara (dhe Izraelit), saqë sukseset e Iranit janë si pickime ndaj një boksieri që godet me një seri goditjesh të rënda në trup: më shumë se 1 500 të vrarë në ushtrinë iraniane kundrejt 13 ushtarëve amerikanë të vrarë, ndërsa marina e Iranit është shkatërruar dhe infrastruktura e tij raketore është dëmtuar rëndë.
- Lexo po ashtu: Në Iran, e ardhmja e luftës po bëhet e dukshme
Megjithatë, si në Ukrainë, atë që Shahed-i modest nuk ka në fuqi goditëse, e kompenson me numrin e madh dhe koston e ulët të prodhimit. Ndërtimi i trupit me lesh xhami, një motor benzine me dy kohë i kopjuar nga një motor gjerman i viteve 1980 i destinuar për aeroplanë shumë të lehtë, navigimi përmes GPS-it komercial dhe një kokë rakete, vlerësohet të kushtojë 20-50 mijë dollarë për pjesë dhe punë. Prodhimi masiv është i lehtë. Dhe, vëllimi i dronëve ka shteruar sistemet e kushtueshme të mbrojtjes perëndimore, duke i mbingarkuar ato në disa raste.
Një analizë nga ABC News raportoi se deri tash janë dëmtuar 10 instalime radari të ShBA-së dhe të aleatëve në të paktën pesë vende të Lindjes së Mesme, qoftë nga vetë dronët iranianë apo nga raketat balistike që shmangin interceptimin mes valëve të dronëve që afrohen.
Kritikët po e sulmojnë presidentin Donald Trump për nisjen e një lufte pa pasur sa duhet armë në dispozicion, veçanërisht interceptorët e kushtueshëm që duket se po hasin vështirësi në frenimin e Shahed-ëve. Pavarësisht garancive të Pentagonit se ka më shumë se mjaftueshëm fuqi zjarri për ta kryer punën, ka shenja shqetësuese se ushtria amerikane tashmë po transferon burime nga fronte të tjera. Numrat e saktë janë të vështirë për t’u përcaktuar - për arsye të dukshme, këto janë sekrete të ruajtura fort - por, presioni duket real.
Real, por jo fatal. Dhe, ndoshta edhe i dobishëm. Duke lexuar Mobilizo [Mobilize], një libër i ri nga drejtori i teknologjisë në Palantir, Shyam Sankar, dhe kolegia e tij Madeline Hart, nis të pyesësh nëse lëvizja e Trumpit ndaj Iranit mund të jetë, pa dashje, ajo që vë rregull në sektorin amerikan të mbrojtjes. Thënia që shpesh i atribuohet Otto von Bismarckut - se Zoti ka një kujdes të veçantë për budallenjtë, të dehurit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës - mund të vlejë sërish.
Mobilizo është njëkohësisht frymëzues dhe alarmues, një thirrje e zjarrtë për të rindërtuar bazën industriale të mbrojtjes amerikane. “Prodhimi masiv është si një muskul”, shkruajnë Sankar dhe Hart. “Nëse nuk e përdor, ai atrofizohet”. Vendi që ndërtoi “arsenalin e demokracisë” gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shkak të një sërë rrethanash historike - të shpjeguara qartë në këtë libër të lexueshëm - ka zhvilluar një lloj ngurtësie kur bëhet fjalë për prodhimin e armëve. Departamenti i Mbrojtjes dikton çfarë ndërtohet dhe si, dhe ka një mori rregullash e procedurash që favorizojnë akterët e brendshëm dhe mbajnë larg fillestarët.
Libri synon të provokojë - si burokratët e Pentagonit që e ngulfatin prokurimin me burokraci, ashtu edhe tipat energjikë të Luginës së Silikonit [Silicon Valley] që mund të zmbrapsen nga ndërtimi i aplikacioneve të rrjeteve sociale drejt ndërtimit të brezit të ardhshëm të armëve. Sankari dhe Harti çmojnë urdhrat ekzekutivë të Trumpit të prillit 2025 për reformën e prokurimit në mbrojtje, të cilat autori i krahason me reformën më serioze të Pentagonit që nga epoka e Clintonit. Direktiva e Trumpit kërkon preferencë për zgjidhje të gatshme komerciale, kërcënon me anulimin e çdo programi madhor që tejkalon buxhetin me më shumë se 15 përqind dhe synon ta bëjë më të lehtë konkurrimin e kompanive të reja me gjigantët e industrisë së mbrojtjes.
Me fjalë të tjera, tashmë po përcaktohen shumë prej elementëve për një kthesë. Dhe, për habi, duke nisur një operacion të diskutueshëm si Furia Epike dhe duke shpenzuar miliarda dollarë në pajisje të sofistikuara e të shtrenjta që rrinin në depo, Trumpi mund të ketë bërë pa dashje atë që reformatorët e zhgënjyer të Pentagonit nuk arritën: e bëri problemin të pamundur për t’u injoruar.
Rezervat e armëve të shtrenjta janë pengesë e dobët. Ajo që ka rëndësi është aftësia për t’i ribërë ato vazhdimisht në luftëra të gjata shteruese. “Është prodhimi”, tha Sankar në një aktivitet të fundit të Institutin “Hudson”, duke shtuar se “nuk duhet t’i prodhosh patjetër si më parë. Atë që dikur kushtonte dy milionë dollarë”, dhe nuk po flas për lloje të reja municionesh, “si mund ta prodhosh të njëjtën me çmim dukshëm më të lirë? Si e rishikoni një pjesë të atij dizajni”?
A mundet ShBA-ja të prodhojë një raketë Tomahawk më të lirë dhe më të mirë, prodhimi i së cilës mund të rritet aq shumë sa të frenojë Kinën? Sigurisht. Vizioni i Sankarit ka të bëjë me sistemet e mëdha dhe të kushtueshme, “nëndetëset bërthamore, bombarduesit që nuk detektohen”, por zgjeron ndjeshëm segmentin e armëve të lira. Ky segment nuk do të jetë një sistem i vetëm, por një ekosistem i tërë armësh me kosto të ndryshme: raketa autonome lundruese, mjete detare pa ekuipazh, sisteme me energji të drejtuar që mund të asgjësojnë tufat e dronëve në hyrje. Kompanitë si Anduril, Saronic dhe Epirus tashmë po i zhvillojnë këto.
Shpërthimet e Shahed-ëve në Gjirin Persik theksojnë faktin se ka përfunduar epoka e mbështetjes vetëm në armë të sofistikuara dhe të shtrenjta. Pamja e dronëve të lirë që shkatërrojnë mbrojtjet ajrore perëndimore në Ukrainë duhej të kishte qenë sinjal alarmi, por problemi mbeti teorik. Uashingtoni menaxhoi me kujdes dërgesat për Ukrainën pa ngritur pyetje të vështira për arsenalin amerikan. Tani, duke shteruar rezervat ekzistuese, Trumpi po e imponon ballafaqimin me realitetin: si do t’i rindërtojë ShBA-ja ato? Shpresohet që zërat si ai i Sankarit të mbizotërojnë ndërsa nis kjo garë. /Telegrafi/




















































