Drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës "Isa Boletini" dhe “Trepçës” dakordohen për bashkëpunim në projekte zhvillimore
Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” (UIBM) në Mitrovicë, prof.dr. Nurten Deva dhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, prof.asoc.dr. Faruk Ahmeti, sot kanë pritur në takim një delegacion nga kompania “Trepça”, të udhëhequr nga u.d. kryeshefi, Faton Ahmeti.
Në këtë takim është diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet UIBM dhe “Trepçës” në fusha me interes për të dyja palët, shkruan Telegrafi.
“Rektorja Deva, shprehu gatishmërinë për të mbështetur ‘Trepçën’ në fushën profesionale me ekspertë dhe kërkime shkencore. Gjithashtu ajo potencoi rëndësinë e përfshirjes së kuadrove me përvojë që mund të ndihmojnë jashtëzakonisht projektet zhvillimore të kësaj kompanie”, thuhet në njoftim.
U.d. kryeshefi i “Trepçës”, Faton Ahmeti, ka vlerësuar se bashkëpunimi i mirë me UIBM ka nevojë të intensifikohet.
“Ai ka falënderuar rektoren për mbështetjen dhe gatishmërinë për t’u përfshirë në projekte zhvillimore, ku padyshim se do të mund të përfitonin edhe studentët për pjesën praktike”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/




























