Drejtori ekzekutiv i KRM “Pastërtia” Basri Sylat, thotë se gjendja e përgjithshme e kompanisë po përmirësohet ndër vite

Kompania Rajonale e Mbeturinave gjatë viteve të fundit ka arritur të krijon fonde rezervë nga të hyrat e inkasuara me qindra e mijëra euro. Ndërkohë ato të hyra ka nisur t’i shpenzon duke ua rritur pagat punëtorëve që menaxhojnë mbeturinat në terren por edhe për stafin tjetër teknik. Po ashtu së fundi kompania ka rritur edhe shumën për shujta ditore.
Gjatë vitit 2023 dhe 2024 kjo kompani ka arritur të grumbullon si fitim i kursyer mbi 847 mijë eurosh.
Drejtori ekzekutiv i kësaj kompanie, Basri Syla, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se gjatë vitit 2024 kanë arritur t’i regjistrojnë gjithsejtë 2 mijë e 392 familje të reja në sistem.
“Jemi duke i mbledhur mbeturinat në kohë të caktuar, ndërkaq në raste të vogla të caktuara kur kemi ndonjë defekt të vogël në makineri e rregullojmë brenda ditës dhe shërbimi i mbeturinave nuk ndalet. Kështu që gjendja e kompanisë për momentin është mjaftë e mirë dhe shumë më e mirë se në vitet e kalaura. Sa i përket shujtës është një vendim që e ka nxjerrë bordi me propozimin tonë dhe në bashkëpunim me sindikatën e re të kompanisë,ku kemi rritën për dy euro në ditë për të gjithë punëtorët”, ka thënë Syla.
Sipas tij, gjatë viteve të fundit pagat në këtë kompani janë rritur 3 herë dhe shujtat një herë.
“Sa i përket pjesës së mbeturinave në qytet, në rrugën kryesore të qytetit i kryejmë shërbimet katër herë në ditë,ndërkaq ato të amvisërisë një herë në javë. Orari ka filluar të respektohet nga qytetarët për hedhjen e mbeturinave, por kërkojmë që mos të hedhin mbeturina inerte nëpër vendet të ndaluara sepse po paraqesin pengesa. Andaj ne e kemi një kompani të veçantë e cila pranon thirrje të qytetarëve sa herë që ata kanë nevojë për marrjen e mbeturinave inerte nga shtëpitë e tyre, kështu që kërkoj të na thërrasin edhe të tjerët sa herë që kanë nevojë”, ka thënë Syla.
Syla ka shpjeguar se edhe auditori i përgjithshëm për çdo vjet po e nxjerr raportin e kompanisë si të suksesshëm dhe pozitiv.
“Zakonisht është auditori i jashtëm, i cili na e bën auditimin e kompanisë, i kemi raportet, ato mund t’i shihni dhe t’i verifikoni sepse janë të gjitha pozitive dhe të mira. Prandaj shkaku i uljes së shpenzimeve dhe rritjes së të hyrave dhe rritjes së numrit të ekonomive familjare, ne si kompani po kemi mundësi t’i rrisim edhe pagat, por edhe shujtat për punëtor”, ka shtuar Syla./Telegrafi/


















































