Dramë në elitën e futbollit holandez: Ajaxit i ik titulli nga duart, PSV kap kreun kur ka mbetur edhe një ndeshje

PSV arriti një fitore bindëse ndaj Heracles Almelo, ndërsa Aaxi barazoi si mysafir i Groningenit, duke e lëshuar titullin nga dora.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin Philips në Eindhoven, PSV fitoi bindshëm me rezultat 4-1.
Golat për PSV erdhën nga Malik Tillman dhe Ismael Saibari, të cilët shënuan nga dy gola secili.
Në të njëjtën kohë, Ajax vazhdoi serinë negative, me katër ndeshje pa fitore duke barazuar 2-2 si mysafir i Groningenit.
Ajax kaloi në epërsi në minutën e 27-të me një gol nga Anton Gaaei. Ekipi vendas barazoi rezultatin në minutën e 52-të me anë të Thom van Bergen. Ajax rifitoi epërsinë me anë të Wout Weghorst në minutën e 68-të dhe pikërisht kur dukej se do të fitonin dhe do të qëndronin në vendin e parë, një tronditje erdhi për ekipin nga Amsterdami.
Luciano Valente mori karton të kuq në minutën e 93-të dhe Groningen mbeti me një lojtar më pak, por në minutën e 99-të, ata arritën të shënonin me anë të Thijmen Blokzijl për rezultatin përfundimtar 2-2.
Ajax ra në vendin e dytë në sekondat e fundit të ndeshjes, ndërsa tani, kampioni aktual PSV është i pari me një pikë më shumë.
Raundi i fundit, zhvillohet të dielën, më 18 maj dhe do të përcaktojë kampionin. Ajaxi do të presë Twenten, ndërsa PSV do të luajë jashtë fushe kundër Sparta Roterdamit.
PSV shpallet kampion edhe me pikë të barabarta, pasi ka një diferencë golash shumë më të mirë. /Telegrafi/














































