Drake ka zemëruar shumë fansa në Manchester pasi ka anuluar papritur koncertin e tij të planifikuar për nesër, më 28 korrik, në sallën Co-Op Live.

Kjo ishte e treta mbrëmje që artisti kanadez do të performonte në këtë qytet si pjesë e turneut të tij “Some Special Shows 4 U”.


Sipas një deklarate të publikuar nga organizatorët në faqen zyrtare të Co-Op Live dhe të raportuar nga Manchester Evening News, koncerti është shtyrë për shkak të “orareve të paparashikuara të tragetit dhe logjistikës së udhëtimit”.

Drake

Në deklaratë thuhej: "Performanca e nesërme në Manchester më 28 korrik është shtyrë për shkak të orareve të paparashikuara të tragetit dhe çështjeve logjistike të udhëtimit. Lajmi i mirë është se koncerti do të mbahet më 5 gusht dhe pritet të jetë një natë e paharrueshme. Të gjitha biletat mbeten të vlefshme për datën e re - mezi presim t’ju shohim”.
Megjithëse të gjithë blerësit do të kenë mundësinë të përdorin të njëjtat bileta për datën e re, ata që nuk mund të marrin pjesë kanë të drejtën e një rimbursimi të plotë përmes llogarisë së tyre në Ticketmaster.

Reagimet në rrjetet sociale ishin të menjëhershme dhe të ashpra.

Disa fansa e konsideruan këtë anulim si një mungesë respekti, veçanërisht pasi pretendohet se Drake ndodhej tashmë në qytet.

Koncerti i radhës i Drake pritet të zhvillohet në Amsterdam, në Ziggo Dome, pas përfundimit të koncerteve të tij në Mbretërinë e Bashkuar. Turneu nisi në Birmingham menjëherë pas performancës së tij në ‘Wireless Festival’.

Kjo ngjarje vjen gjithashtu në një moment të tensionuar për reperin, i cili është i përfshirë në një konflikt të ashpër me Kendrick Lamar.

Më herët gjatë vitit, është raportuar se Drake, emri i vërtetë i të cilit është Aubrey Drake Graham, ka nisur një proces gjyqësor kundër kompanisë UMG, duke i akuzuar ata për përhapjen e një “narrative të rreme dhe dashakeqe” lidhur me përplasjen me Lamar. /Telegrafi/