Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zbuluar sot një sasi të konsiderueshme barnash të huaja në një barnatore në Prishtinë, të cilat dyshohet se janë futur në vend në mënyrë të paligjshme.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, produktet mbanin banderola të shteteve të huaja dhe nuk figuronin të ishin importuar përmes zinxhirit ligjor të furnizimit.


Doganat e Kosovës theksojnë se barnat nuk kanë kaluar përmes procedurave të rregullta doganore dhe as nuk janë regjistruar si të importuara në mënyrë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Autoritetet paralajmërojnë se një veprim i tillë paraqet rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve, pasi origjina, cilësia dhe kushtet e ruajtjes së këtyre produkteve nuk janë të garantuara dhe mund të jenë jashtë standardeve të kërkuara për konsum.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar, ndërkohë që institucionet përgjegjëse pritet të marrin masat e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve.