Drejtoria e Doganave aktualisht po zbaton projekte kyçe reformash me vlerë 14 milionë euro me fonde grantesh të BE-së, qëllimi i të cilave është përshpejtimi i integrimit në tregun e vetëm të Unionit dhe rritja e konkurrencës në ekonominë maqedonase.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se një hap thelbësor është vendosja e një numri të vetëm identifikimi EORI për kompanitë dhe individët, i cili krijon një sistem të unifikuar për identifikimin e operatorëve ekonomikë dhe individëve në procedurat doganore.


"Sistemi lejon menaxhim më efikas të proceseve doganore dhe identifikim më të mirë në rast të kërcënimeve të mundshme. Pas projektit pilot të zbatuar me sukses, do të pasojë një fazë testimi, pas së cilës do të fillojë zbatimi zyrtar i sistemit, duke e përafruar plotësisht vendin me standardet doganore evropiane në këtë fushë", thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se: "Paralelisht, po fillojmë zbatimin e projektit për Automatizimin e Terminaleve Doganore, me të cilin po e ngremë Drejtorinë e Doganave në nivelin e një shërbimi modern doganor evropian, duke mundësuar modernizimin e plotë të proceseve. Aktualisht, është duke u zhvilluar vlerësimi i ofertave nga thirrja publike ndërkombëtare e shpallur për prokurimin e pajisjeve, zbatimi i të cilave do të përshpejtojë ndjeshëm transportin, veçanërisht në terminalet më të shpeshta doganore kufitare".

Siç thuhet në njoftim, përveç kësaj, në kuadër të programit IPA "BE kundër Krimit të Organizuar dhe Mbështetjes së Tregtisë", me një grant prej dy milionë eurosh, Dogana po forcojnë kapacitetet e Sektorit për Kontroll dhe Hetime me automjete të reja të specializuara, pajisje, si dhe një sistem të ri IT për menaxhim më efikas të çështjeve penale.

"Në të njëjtën kohë, me mbështetje të fortë të BE-së, aktualisht po punohet për restaurimin e pikës kufitare Markova Noga me Greqinë, krijimin e një pikëkalimi të ri kufitar Klepallo dhe rindërtimin dhe modernizimin e pikëkalimit kufitar Dellçevë me Bullgarinë. Në kuadër të reformave për integrim më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe Planit të Rritjes, Drejtoria e Doganave po punon gjithashtu në mënyrë aktive për përmirësimin e sistemit të tranzitit duke futur fazën 6 të Sistemit të Ri të Kompjuterizuar të Tranzitit, për të cilin janë siguruar fonde nga buxheti i shtetit. Zbatimi i tij do të përshpejtojë më tej rrjedhën e mallrave, duke lejuar që të gjitha të dhënat e sigurisë të kontrollohen përpara se mallrat të mbërrijnë në kufi, duke shkurtuar ndjeshëm procedurat në vetë pikat kufitare".

Drejtoria e Doganave mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj axhendës së reformave që mundëson integrimin e përshpejtuar në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/