Kandidati për deputet nga LDK, Berat Rukiqi ka folur për disa nga zotimet e kësaj partie, duke specifikuar ato për të cilat është angazhuar gjatë karrierës së tij.

Rukiqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se gjatë gjithë karrierës është angazhuar për zhvillimin ekonomik, prodhimin vendor dhe eksportin.


“Mbrojtja e Prodhuesit Vendor. Supermarketet që operojnë në Kosovë duhet t’i japin vendin që meriton produktit vendor. Me ligj do të sigurojmë hapësirë minimale dhe trajtim të drejtë për produktet kosovare në raftet e shitjes. Do të eliminojmë pengesat burokratike dhe do të ndërtojmë kanale të reja eksporti përmes rrjeteve të diasporës, në mënyrë që edhe prodhuesit e vegjël të kenë qasje në tregjet ndërkombëtare. ‘Made in Kosova’: Skema Premium e Eksportit. Do të ndërtojmë markën kombëtare ‘Made in Kosova’, si vulë e cilësisë dhe besueshmërisë në tregjet europiane dhe amerikane”, ka shkruar Rukiqi.

Ai po ashtu se një nga prioritet janë edhe produktet kosovare, nga verërat dhe produktet ushqimore deri te metalet e përpunuara dhe produktet teknologjike për të cilat siç tha “do të promovohen përmes marrëveshjeve direkte me rrjetet e mëdha të shitjes në Gjermani, Austri, Zvicër, Itali, SHBA dhe tregje të tjera”. /Telegrafi/