Qendërmbrojtësi Lindrit Kamberi është i hapur për të luajtur në fanellën e Kosovës, ndërsa foli edhe për situatën që kaloi këtë fillim të sezonit te Zurichu, gjatë një interviste ekskluzive për Telegrafin.

25-vjeçari që shumë vite është pjesë e Zurichut, megjithatë këtë sezon ka qenë pak më ndryshe. Ai disa ndeshje qëndroi në stol, gjë që s’kishte ndodhur më parë.


Në një intervistë të gjatë për Telegrafin, Kamberi e pranoi se ka mbetur i befasuar kur e pa vetën në stol, por beson se me paraqitjen e shkëlqyer në përmbysjen ndaj St.Gallen e rifitoi vendin titullar.

“Katër lojët e para i luajta nga fillimi, pastaj trajneri vendosi pak më ndryshe (dikë tjetër në vendin tim), mirëpo në ndeshjen e fundit ndaj St.Gallen hyra pas 20 minutave, besoj që me atë paraqitje e ktheva sërish vetën si startues”.

“Është normale që konkurrenca është e madhe në repartin defansiv, normale që dua të luaj çdo sekondë, minutë, por kjo është pjesë e lojës. Patëm dy-tre humbje dhe e kuptoj trajnerin që e ka marrë këtë vendim”.

Lindrit Kamberi

“Edhe për mua ka qenë situatë befasuese sepse nuk e kam prit, por jam gjithnjë i përgatit, pra siç thashë lojën e kaluar hyra pas vetëm 20 minutave kur ishim duke humbur 0-1 dhe prandaj jam i kënaqur”, u shpreh fillimisht ai.

I pyetur për synimet, Kamberi ishte i qartë: Të shënojë së paku katër gola si dhe ta mbyllë sezonin me Zurichun në top tre të elitës zvicerane.

“Kam dëshirë të jem më i suksesshëm në vitet e ardhshme. Kam qejf të arrij maksimumin që të hyjë në top pesë ligat evropiane. Me durim dhe punë besoj që arrihen”.

“Objektivat për sezonin e mbetur është sidomos të shënoj si sezonin e kaluar, pra kam shënuar katër, dua të shënoj njëjtë së paku aq dhe të arrijmë sa më lartë me Zurichun. Me kualitetin që kemi minimum duhet të jemi në top tre”.

Lindrit Kamberi dhe Bledian Krasniqi

Kamberi gjithashtu nuk hezitoi fare të bisedojë edhe për kombëtaren e Kosovës. Ai publikisht konfirmoi se është i hapur për të luajtur në fanellën dardane.

“Normal që Kosovën e shohim si mundësi, secili lojtar shqiptar nga Kosova e ka për synim, është diçka që mundet më qenë ëndërr”.

Megjithatë, qendërmbrojtësi bëri të ditur se nuk ka pasur kontakte me Franco Fodan, kurse kontaktet e fundit me FFK-në ishin para disa viteve.

“Jo, nuk kam pasur kontakt me përzgjedhësin Franco Foda, edhe pse e kam pasur trajner por kam pasur kontakt me Federatën para dy-tre viteve, por nuk ka pasur kurrë diçka zyrtare. Nuk më kanë ofruar ndonjë projekt, por unë pres, kam durim. E di çfarë mund t’i ofroj ekipit, atje më njohin shumë mirë. Futbolli është kështu, puna dhe durimi gjërat funksionojnë kështu”.

“Franco Foda e ka një përparësi të madhe sepse është vendas i Gjermanisë dhe Austrisë, sidomos me shqiptarët që janë jashtë. Gjuha i lidh si dhe kultura”.

Kamberi ishte edhe në stadium në ditën që bashkëlojtari, njëkohësisht shoku i afërt Bledian Krasniqi debutoi te Kosova, ku tregoi se ky i fundit i ka thënë se ishte ndjenjë e papërshkrueshme.

“Me Bledianin foli ditë për ditë sepse e kam shok të ngushtë. E kam pyetur kur debutoi te Kosova, vetë në fakt isha aty në stadium sepse kisha dëshirë ta shoh Bledianin. Isha krenar me të edhe besoj se është një ndjenjë e papërshkrueshme”.

Pavarësisht që s’është kontaktuar së fundmi nga FFK-ja, Kamberi e ka përcjellë fitoren historike të Kosovës ndaj Suedisë, për të cilën deklaroi se e ka befasuar dhe pret që “Dardanët” të përforcohen edhe më shumë brenda një periudhe të shkurtër.

“Lojën e fundit të Suedisë e shikova në shtëpi me prindërit dhe ka qenë një ndjenjë e pazakontë sepse ishte arritje e madhe për Kosovën të luajë ndaj Suedisë, një gjigant evropian. Kam besim se Kosova mund të arrijë shumë më lartë sepse kualiteti për këto dy-tre vitet e fundit është rritur tepër tepër shumë”, nënvizoi ai për Telegrafin.

Kamberi përndryshe ka mbrojtur ngjyrat helvetike në grupmoshat U19 dhe U20, ku ka zhvilluar gjashtë paraqitje./Telegrafi/

telegrafi sport app