LAJMI I FUNDIT:

Djaloshi Mozart luante piano për ambasadorin me origjinë shqiptare

Djaloshi Mozart luante piano për ambasadorin me origjinë shqiptare

Luan Rama

Një nga figurat e ndritura të familjes me origjinë shqiptare Durazzo, e vendosur që në fund të shekullit XIV në Gjenovë (familje kjo që nxori nëntë dozhë – presidentë Republike, dhe shumë senatorë, ambasadorë e klerikë të shquar jezuitë), ishte dhe Giacomo Durazzo, një nga personazhet më erudite të kësaj familje, për të cilin është shkruar shumë në kronikat e kohës, dhe së fundi në një libër më vete të zonjës Anxhela Durazzo. Më 2 prill të vitit 1764, ambasadori Giacomo Durazzo i dorëzoi perandoreshës austriake Maria-Terese, kërkesën për dorëheqje.


Si kompensim, meqë ishte dhe miku i ngushtë i kancelarit austriak Kaunitz, ai u dërgua si ambasador i perandorisë në Venezia, me një rrogë vjetore prej 12.000 fiorintash, pa llogaritur dhe caktimin e një pensioni për të. Në fund të dhjetë vjetëve përkushtim në teatrin e Vjenës, si pasojë e një kontradite dhe me kompozitorin Metastasio, princin e operas dramatike apo “opera seria”, siç konsiderohej në atë kohë, më 1764, ai u largua nga Vjena ku kishte qëndruar afro 20 vjet.

Pas Durazzo-s, Vjenën e la dhe balerina e famshme Bodin, e cila u vendos në Francë. Casanova do ta pikëtakojë mikeshën e tij të vjetër vite më vonë në Orleans, por tashmë, siç kujton ai në kujtimet e tij, ajo “ishte shëmtuar”. Një vit më vonë, më 1765, Giacomo shkoi në Venecie si ambasador i perandorisë austriake dhe u vendos tashmë në qëndër të qytetit, në ndërtesat e Canal Grande, vendit më të rrahur nga intelektualët dhe monarkët e gjithë botës, por dhe ku gëlonin prostitutat.

Madje atje gjendej dhe një përzierje e çuditshme popujsh, ku midis të tjerëve kishte plot grekë, turq e shqiptarë. Nuk dimë nëse Giacomo ka patur kontakte me shqiptarët e Venecies apo jo, të cilët ishin instaluar atje prej shumë shekujsh. Pas rrethimit të Shkodrës, më 1479, kronikat e vjetra shkruajnë për një dyndje të re të shqiptarëve, të cilët u vendosën në fillim në bregun e majtë të Canal Grande dhe më pas, në bregun e djathtë. Shkruhet gjithashtu dhe për dy fisnikë të njohur shqiptarë, Cominus Spata dhe kont Niketa.

Siç pohon bizantologu dhe albanologu Alain Ducellier né librin e tij Les chemins de l’exil, “ata shkuan bashkë me 400 kalorës dhe njëmijë këmbësorë ushtarë, duke kërkuar që të vihen në shërbim të Republikës për të mbrojtur tokat e saj që kërcënoheshin nga osmanët”. Për Giacomo Durazzo-n Venecia ishte një vend ku do të zhvillonte artin e tij diplomatik dhe kulturën e tij të gjithanëshme. Madje ai do të drejtojë atje dhe një teatër privat, në vilën e tij jashtë venecies, në Villa di Mestre, ku një sezon teatral do ta hapte dhe familja Balbi.

Më 1776, në Villa di Mestre, erdhi dhe piktori i ri Giovanni David, të cilin Durazzo do ta mbështeste gjer në fund të jetës së tij. Ashtu si dhe në Vjenë, ku pranë vilës së tij buzë ujrave të Danubit, ai kishte krijuar një kopësht të stilit francez, edhe në Venecie, ai do të krijonte një kopësht të tillë. Miqtë dhe konsujt e huaj, spanjollë, anglezë apo francezë, kohën e lirë e kalonin shpesh në shoqërinë e tij, larg zhurmës së Venecies. Në këtë kohë në Venecie, ai ishte një referencë e kulturës, për ç’ka dëshmojnë shumë shkrime historike dhe dëshmi të autorëve të njohur.

Në “Ospedale della Pieta” kishte qënë vite më parë Vivaldi, i cili kishte qënë violinist, mjeshtër violine dhe pastaj mësues kompozicioni. Në fakt ai kishte shkuar atje si prift, por meqë ishte i sëmurë nga azma dhe nuk mund të bënte meshë, u kthye në mësues, duke krijuar shumë koncerte për nxënëset e tij, për vajzat jetime që mblidheshin atje dhe që mësonin muzikë.

Një nga këto krijime ishte dhe e famshmja La Stravaganza. Antonio Vivaldi kishte krijuar në vitin 1718 një opera për Skënderbeun, të titulluar Scanderbeg, me një libret të Antonio Salvi, të shfaqur me rastin e hapjes së teatrit “Teatro di via Pergola”. Nuk dimë nëse Durazzo ta ketë dëgjuar këtë opera të njohur në atë kohë, për të cilën, historianët e artit thonë se ishte një nga operat më të bukura të Antonio Vivaldit. Veniciani plak kishte vdekur në Vienë më 1741, atëherë kur ishte bërë i njohur në të gjithë Europën dhe kur konti Durazzo sapo kishte zbarkuar në Vjenë për të dëgjuar koncertet e mrekullueshme të tij.

Në një botim për jetën e Mozartit, një autor francez shkruan dhe për udhëtimin e famshëm të Leopold Mozart me të birin Wolfgang Amadeus, të cilët do të zbarkonin në Venecie për të dhënë disa koncerte. Ishte viti 1771 dhe ky ishte udhëtimi i tyre i dytë, pas atij të një viti më parë, kur Amedeus 14 vjeçar ishte paraqitur për tu regjistruar në “Academia Filarmonica di Bologna”, ku drejtuesi i saj e kishte pranuar atë me shënimin “mjaftueshëm”. Tashmë ata vinin pas një itinerari koncertesh të dhëna në Verona, Torino e Milano. Në Venecie ata mbëritën më 10 shkurt, pas një rruge shtatë ditore.

I priste miku i tyre, tregtari Giovanni Wider, mik i një të afërti të tyre, Lorenz Haguenauer. Në Venecie, ata do të kalojnë një muaj duke vizituar hiret e këtij qyteti. Abati Giovanni Ortes, një shkrimtar politik, ishte në atë kohë një nga zërat më me influencë të Republikës.

Ai u premtoi t’i njihte me njeriun më të famshëm të muzikës në atë qytet: kontin Durazzo. Një pritje të veçantë do tu bëjë atyre konti Durazzo, i cili i priti në banesën e tij. Pritja në pallatin “Loredan”, mbi “Canal Grande” ku banonte Durazzo, e quajtur kështu sepse ishte ndërtuar nga dozhi i Republikës, Leonardo Loredan, ishte vërtet madhështore. Dhuratat ishin të shumta. Ujët e lagunës e kishte kapërcyer pragun e portës dhe kati i poshtëm kishte kohë që ishte përmbytur.

Një ndërtesë tipike veneciane me një fasadë të mrekullueshme, dy ballkone të gdhëndur me harqe dhe dy statueta mermeri të futura në mur. Më vonë, kjo ndërtesë do të quhej nga venecianët “Palazzo del Ambasciatore”, në kujtim të ambasadorit të famshëm Durazzo. Në kohën e Durazzo-s, “Venetia”, siç quhej atëhere Venecia, përjetonte akoma orë lavdie. Venecia ishte më shumë një referencë historike e kulturore për gjithë intelektualët e Evropës.

Muzika, koleksionet e pasura të pikturës italiane, flamande, spanjolle, “Arsenali” ku ndërtoheshin anijet e famshme veneciane, arkitektura e mahnitshme e qytetit, gjithçka tërhiqte këtu udhëtarë nga e gjithë bota. Ambasadorët e huaj, si dhe Durazzo, kishin në dispozicion gondola të posaçme të mëdha, zbukuruar me velurë, të cilat i çonin në Pallatin e Dozhëve apo në sheshin San Marco, në katedralen qëndrore, në teatrin “Fenice”, përgjatë “Kanalit të Madh” apo gjer në Mestre, ku Durazzo kishte vilën e tij, jashtë qytetit.

Venecia e karnavaleve dhe e maskave mbahej në atë kohë si qyteti që kishte numrin më të madh të prostitutave në botë në raport me popullsinë, një turmë e madhe “putti e putte”, kurtizanë e kurtizane, që ishin personazhe të pjesëve dramatike apo komedive të Goldonit, mikut të Durazzo-ve. Në atë kohë, Mozartit i ishte propozuar të shkruante muzikën e libretit të shkrimtarit francez Jean Jacques Rousseau, Devin de Village apo ndryshe Dashuritë e Bastienit dhe të Bastienës.

Padyshim që Durazzo dhe Mozart kanë biseduar rreth kësaj pjese, pasi para disa vitesh, Konti Durazzo ishte përpjekur ta vinte këtë pjesë në skenë në teatrot e Vjenës. Madje pas negociatave me Rousseau, ai kishte angazhuar libretistin Farvart të Operas Komike të Parisit për një parodi burleske të bazuar në pjesën e shkrimtarit dhe filozofit francez. Për Leopoldin dhe birin e tij Amadeus, konti Durazzo ishte një figurë e rëndësishme e botës muzikore europiane, i cili kishte drejtuar për dhjetë vjet rresht teatrot e Vjenës.

Ai kishte qënë mik shumë i afërt i kompozitorit Hasse, për të cilin në një nga letrat e tij, më 2 nëntor të atij viti, Mozart do të shkruante: “Sot jepet opera Ruggiero e Hasse, por meqë im atë nuk do dalë, as unë nuk mund ta dëgjoj e ta shoh këtë opera. Lumturisht që i di përmëndësh të gjitha arjet e saj. Kështu, edhe i mbyllur në shtëpi, në mëndje mund të dëgjoj e të shoh gjithçka”.

Më 5 mars të atij viti, konti Durazzo dëgjoi koncertin e instrumentistit të ri 14 vjeçar që ishte bërë tashmë i dëgjuar në të gjitha oborret princore evropiane me talentin dhe virtuozitetin e tij. Koncerti u prit me duartrokitje të mëdha nga e gjithë aristokracia veneciane, ku në rradhë të parë ishte sigurisht Durazzo. “Viva il Maestrino”! – thërrisnin fisnikët.

Gjithë Venecia fliste për talentin e habitshëm të instrumentistit Wolfgang, i cili në atë kohë po shkruante dhe një serenatë teatrale që ia kishte kërkuar vetë perandoresha e Austrisë, Maria-Teresa. Pikërisht këtë vit, Amadeus kishte krijuar pjesë të ndryshme simfonike, të cilat i demostronte dhe i interpretonte në mjediset dhe teatrot e Italisë apo të Evropës. Të tilla ishin simfonia në re K. 81, K.89, simfonia në sol, K111/120, K.96, uvertura e famshme Ascanio in Alba apo Mirtridate. Nuk dimë nëse konti Durazzo ka shkruar diçka për gjeniun Amadeus, i cili më pas do të trondiste botën me muzikën e tij.

Më 12 mars, Amadeus me të atin lanë Venecien dhe u larguan drejt Salzburgut. Venecia ishte një kryeqytet i kulturës ku pikëtakoheshin e kryqëzohen personalitete të famshme të kulturës europiane. Po në Venecie, kontin Durazzo do ta ndjekë dhe miku i tij i vjetër, piktori Joseph Wagner, i cili do të bënte veç portretit të tij dhe të disa artistëve të tjerë, midis të cilëve, mikun e tyre të përbashkët kastratin e famshëm Farinelli, apo siç quhej ndryshe Carlo Broschi.

Giacomo Durazzo ishte dhe një amator i madh jo vetëm i partiturave origjinale të autorëve të mëdhenj dhe i librave të tjerë të muzikës, por dhe i gravurave dhe grafikave. Koleksioni i tij ishte i mahnitshëm dhe me një vlerë kolosale, pasi në to vuri gjithë pasurinë e tij aq sa në fund u kthye në nevojtar për të holla. Biblioteka e tij u nda mes familjes, por pas rënies politike e ekonomike të kësaj familjes, biblioteka do të përfundonte në fondin “Foa-Giordano” të Bibliotekës Kombëtare të Torinos. Durazzo e la ambasadën e Venecies në vitin 1784 dhe iu kushtua artit.

Pikërisht në këtë periudhë ai përgatiti një Fjalorth të artistëve të vizatimit, ku mblodhi stampa nga piktorët më të mëdhenj të Italisë dhe të Evropës, mes të cilave dhe shumë vizatime të piktorit të famshëm Mantegna. Dhjetë vjet më vonë, më 15 tetor, të vitit 1794 ai vdiq, duke lënë pas një koleksion të jashtëzakonshëm, veçanërisht tablotë, bibliotekën e tij të pasur e mbi të gjitha koleksionin e tij të “stampave” dhe e gravurave të mrekullueshme të mjeshtërve të mëdhenj, koleksione këto të njohura në metropolet e Europës. Kjo pasuri që do të ndahej më pas mes pjestarëve të tjerë të familjes, pasi ai nuk kishte trashëgimtarë të drejtpërdrejtë.

Siç shkruan Angela Durazzo në librin e saj I Durazzi, da schiavi a dogi della Republica di Genova, biblioteka e tij e Venecies përmbante 25.000 volume, midis të cilëve rreth 2500 libra të vjetër e kodikë që ai i kishte blerë dhe mbledhur gjatë viteve. Ishin midis tyre 27 vëllime muzikore, partitura me kapakë të kuq, shumica e të cilave me autografet dhe shkrimet origjinale të autorëve.

Madje ai kishte pjesën më të madhe të krijimtarisë së Vivaldit, të cilat ia kishte blerë të vëllait të muzikantit, Francesco Vivaldi, veçanërisht pjesë nga muzika e tij e shenjtë, “sacré”, kompozime e koncerte, “cantante”, shumica e të cilave të shkruara për “prostitutat” e qytetit të mbledhura në “Ospedale della Pietà”. Kjo do të mjaftonte për ta bërë atë “Qytetar nderi” të Venecies. Kështu do të shuhej një prej qytetarëve të mëdhenj të Europës, Giacomo Durazzo. Mjaft njerëz të shquar e konsideronin atë “qytetar të Europës” dhe mund të themi se ai ishte ndër figurat më spikatëse në këtë drejtim në krahasim me pararendësit e tij të diasporës shqiptare. /Shqip/