Dita Ndërkombëtare e Paqes – Mesazhe nga Kukësi, qyteti që kandidoi për Çmimin Nobel

Dita Ndërkombëtare e Paqes është shënuar sot në mbarë botën, duke përcjellë mesazhin e bashkëjetesës, solidaritetit dhe ndalimit të dhunës.
Në këtë ditë të veçantë, Kukësi është veçuar si një simbol i paqes dhe mikpritjes, veçanërisht gjatë luftës në Kosovë, kur mijëra qytetarë të zhvendosur gjetën strehë në këtë qytet.
Abdullah Domi, përfaqësues i Federatës së Paqes Universale, theksoi se Kukësi mbetet një shembull frymëzues jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë rajonin.
“Dita Ndërkombëtare e Paqes presupozon që çdo njeri të bëjë analizën e vet: çfarë bën çdo ditë, sa jep paqe, sa jep mirësi, sa jep dashuri. Kukësi ka qenë gjithmonë në krye. Gjithmonë ka pasur në idealin familjar, në trungun e vet shpirtëror, paqen, dashurinë. Këtë e tregoi edhe në 1998–’99 me mikpritjen e kosovarëve. Hapi dyert dhe zemrat pavarësisht problemeve ekonomike që kishte atëkohë, për të treguar dhe për të dhënë paqe, mirësi dhe dashuri për vëllezërit që vinin nga Kosova,” tha z. Domi.
Sipas tij, paqja nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por edhe e vetë shoqërisë. Ai thekson nevojën për përpjekje të përbashkëta mes pushtetit vendor, qendror dhe qytetarëve për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më paqësore.
“Unë mendoj se autoritetet qendrore, por edhe ato vendore, shoqatat e ndryshme dhe gjithë populli duhet të punojë për paqen. Të japësh paqe, të japësh dashuri është mirësi. Dhe një fjalë e urtë e Nënë Terezës, ‘të bëjmë gjëra të vogla, por me dashuri të madhe’, është simboli më i mirë i kësaj date,” u shpreh z. Domi.
Dita Ndërkombëtare e Paqes u vendos nga Kombet e Bashkuara dhe shënohet çdo vit më 21 shtator, me qëllim promovimin e paqes në nivel global. Në një kohë me sfida të mëdha sociale dhe politike, mesazhi i paqes sot merr edhe më shumë rëndësi./RTSH
- YouTube youtu.be




















































