Për shtatë ditë radhazi, banorët e Podujevës dhe rrethinës janë duke u përballur me mungesën e transportit publik, pasi transportuesit e Llapit po protestojnë para Komunës së Prishtinës, kundër vendimit që ndalon hyrjen e autobusëve në zonën ku zakonisht stacionohen ata që shkojnë nga Podujeva.

Nënkryetari i Shoqatës së Transportit të Llapit, Mentor Mustafa, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se qytetarët e Podujevës janë ata që po e pësojnë për shkak të vendimit të Komunës së Prishtinës.


“Gjendja është si në ditën e parë, kanë filluar disa takime dje dhe sot. Po presim që të bëhet më e mira për qytetarët e Podujevës, sepse janë duke e pësuar shumë keq, sot është dita e shtatë e protestës”, tha ai.

Mustafa po ashtu tha se përderisa protesta po vazhdon, policia është duke shqiptuar gjoba në vazhdimësi.

“Janë diku rreth 22 autobusë, ka shtatë gjoba për secilin autobus. Gjobat janë diku nga 100 deri 150 euro”, theksoi ai.

https://youtube.com/shorts/mjHiAe7m9BE?si=OE3hbBN1kREGbtNP

Në intervistë, ai deklaroi se Komuna e Prishtinës po këmbëngulë në vendimin e tyre, derisa bëri të ditur se kanë dhënë një propozim,

“Nuk kemi mundur deri tani me arritë ndonjë zgjidhje, ata prapë kanë këmbëngulë në vendimin e tyre. Ne ua kemi dhënë si propozim me hi nga shkolla 'Nobel' rruga Zagrebi, me shku stacion autobusëve dhe kthimin ta bëjmë nga Bahollet e te Xhamia e Llapit. Ndryshe, nuk mundemi të funksionojmë ne. Kemi përkrahjen e Ministrisë së Infrastrukturës, sepse ne nuk jemi tu kërku asgjë më shumë se atë që na takon me ligj”, shtoi ai.

c37bab63 079b 4377 be37 f5d53ae58db6 scaled

Mustafa deklaroi se 78 fshatra kanë mbetur pa transport publik, e ku janë mijëra udhëtarë që udhëtojnë çdo ditë Prishtinë-Podujevë.

Ai tha se shpreson që të arrihet një zgjidhje për të mirën e udhëtarëve, në të kundërtën do të bllokohet i gjithë qyteti.

Ndryshe, ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se protestuesit nga Podujeva duhet të respektojnë vendimin, ashtu siç veprojnë edhe linjat e tjera nga qytetet e Kosovës.

“Me vëmendje po përcjell protestën e vozitësve të autobusëve nga Podujeva, të cilët po protestojnë para objektit të Komunës kundër vendimit për linjat ndërurbane, vendim i cili është zbatuar dhe respektuar në vazhdimësi nga linjat ndërurbane që vijnë nga Drenasi, Peja, Gjakova, Mitrovica, Ferizaji dhe qytete të tjera. Ky vendim kërkon që linjat ndërurbane të përdorin rrugët rajonale dhe të kenë si pikë ndalimi “Stacionin e Autobusëve”. Deri tani, autobusët nga Podujeva kanë qarkulluar edhe brenda Kryeqytetit, gjë që ka rënduar trafikun dhe ka ndërhyrë në kompetencat e trafikut urban, i cili është përgjegjës për shërbimet e trafikut brenda Kryeqytetit”, kishte pohuar Rama./Telegrafi/