Protesta për konfiskimin e automjeteve për shoferët pa leje, MPB paralajmëron masa

Qindra qytetarë të prekur nga masa e sekuestrimit të automjeteve për drejtim pa dhënë provimin e vozitjes protestuan në Shtip, Koçan, Strumicë, Prilep, Manastir dhe Resnjë, për shkak të marrjes së automjeteve të tyre, në përputhje me nenin 297 të Kodit Penal për “drejtim të pakujdesshëm të mjetit motorik”.
Në Shtip, një grup qytetarësh dogjën goma në rrugë, pas çka ndërhyri Shërbimi i Zjarrfikësve për të shuar zjarrin dhe për të normalizuar gjendjen.
Në Koçan, qytetarët u mblodhën në lagjen Trajanovo Trllo. Në Manastir u bllokua rruga magjistrale drejt Resnjës, pranë lagjes Bair, ndërsa protesta vazhdoi edhe sot nëpër rrugët e qytetit. Motivi i përbashkët i të gjitha protestave është pakënaqësia ndaj konfiskimit të automjeteve, të cilat, sipas qytetarëve, kanë qenë mjeti i tyre kryesor i punës dhe burim jetese për familjet e tyre.
Nga MPB njoftuan se nuk ka pasur prishje të rendit dhe qetësisë publike në protestat e mbrëmshme, por në koordinim me Prokurorinë Publike, po ndërmerr masa dhe aktivitete për veprim të mëtejshëm.















































