Disa anekdota me shkrimtarë hispanikë

Përzgjodhi dhe përktheu: Bajram Karabolli
1. Jorge Luis Borges ndërsa jepte leksione si profesor letërsie në Universitet, pyeti një studente se ç’mendonte ajo për Shekspirin. Studentja iu përgjigj:
- I mërzitshëm. Të paktën me ato ç’ka shkruar deri tani.
- Ndoshta Shekspiri ende nuk ka shkruar për ju. Kushedi, e bën brenda pesë vitesh që vijnë. – i thotë Borhesi.
2. Kur shkrimtari spanjoll, Camilo José Cela, sapo qe shpallur fitues i çmimit Nobel, një gazetar e pyeti:
- A ju ka çuditur fitimi i çmimit Nobel në Letërsi?
- Shumë. Mbi të gjitha, sepse prisja atë të Fizikës, – përgjigjet shkrimtari.
3. Kur Alfonsin XIII e nderoi shkrimtarin dhe filozofin e shquar spanjoll, Miguel de Unamuno, duke i dhënë Kryqin e Madh, ky i fundit i thotë:
- Më nderoni, madhëri, duke më dhënë këtë kryq kaq të merituar.
- Po më çuditni, - ia ktheu mbreti. - Shumica e atyre që e kanë marrë këtë kryq, më kanë siguruar se nuk e meritonin.
- Sigurisht, madhëri, ashtu ka qenë në rastin e tyre.
4. Pas 20 vjetësh, Antonio Alcalá Galiano takohet me një të njohurën e tij.
- Don Antonio, - i thotë ajo e habitur, - sa qenkeni plakur?!
- As ju nuk jeni më e re, - ia kthen shkrimtari. – Por kështu u ndodh atyre që hipin për herë të parë në anije: u duket se është toka ajo që largohet prej tyre, ndërsa ata qëndrojnë në vend.
5. Një gazetar në Romë, për ta provokuar Borhesin e pyet:
- A ka më kanibalë në vendin tuaj?
- Jo, - i përgjigjet shkrimtari. – Tashmë i kemi ngrënë të gjithë.



















































