Diaspora voton, pamje nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën e mbajtur lidhur me procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se sipas të dhënave gjatë orëve të para të votimit nga 24 përfaqësi diplomatike ku ka filluar dhe po zhvillohet votimi, deri në orën 09:00, nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 8.64% % apo 1,659 votues.
Në këtë konferencë u bë e ditur se në orën 05:00, sipas kohës lokale në Kosovë, procesi i votimit ka filluar në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll, ndërkaq, në orën 07:00, gjithashtu sipas kohës lokale në Kosovë, votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike që ndodhen në Evropë.
Përfaqësitë diplomatike, në të cilat ka filluar dhe po zhvillohet procesi i votimit, janë: 1. Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankfurt – konsullatë; Hamburg – konsullatë; Mynih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Dyseldorf – konsullatë); 2. Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); 3. Mbretëria e Bashkuar (Londër – ambasadë); 4. Francë (Paris – ambasadë; Strasburg – konsullatë); 5. Belgjikë (Bruksel – ambasadë); 7. Norvegji (Oslo – ambasadë); 8. Austri (Vjenë – ambasadë); 10. Suedi (Stokholm – ambasadë); 11. Slloveni (Lubjanë – ambasadë); 12. Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); 13. Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); 14. Turqi (Stamboll – konsullatë); 15. Kroaci (Zagreb – ambasadë); 16. Holandë (Hagë – ambasadë); 17. Republika Çeke (Pragë – ambasadë) dhe 18. Hungari (Budapest – ambasadë).
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt.
“Procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt, në përputhje me procedurat e përcaktuara, ndërsa në shumë nga këto përfaqësi, po shënohet pjesëmarrje e lartë e qytetarëve, e cila dëshmon për angazhimin qytetar dhe lidhjen e fortë që mërgata jonë ka me atdheun", thuhet në komunikatë.
Tutje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson se në koordinim të vazhdueshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësitë diplomatike, po ndjek nga afër mbarëvajtjen e procesit, duke siguruar kushte të përshtatshme për ushtrimin e së drejtës së votës për të gjithë qytetarët tanë jashtë vendit.
Disa nga ambasadat e Kosovës kanë publikuar fotografi nga procesi i votimit.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë ka njoftuar se që nga ora 07:00 ka nisur procesi i votimit për qytetarët e Republikës së Kosovës të regjistruar për votim pranë kësaj Ambasade.

Votimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Ftohen të gjithë votuesit e regjistruar që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Për ushtrimin e së drejtës së votës, votuesit duhet të jenë të regjistruar për votim në Ambasadë dhe të posedojnë një nga dokumentet zyrtare të identifikimit të Republikës së Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi, edhe në rast se dokumenti ka afat të skaduar.

Fotografi nga procesi i përgatitjes për ditën e zgjedhjeve në diasporë ka publikuar edhe Ambasada e Kosovës në Slloveni.

Edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani ka ftuar votuesit e regjistruar që të marrin pjesë në votim.


“Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, procesi i votimit ka filluar në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00. Ftojmë të gjithë votuesit e regjistruar me sukses që të marrin pjesë në votim, duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.
Sipas rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja, çdo votues duhet të jetë i regjistruar për votim në misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, dhe të posedojë një nga dokumentet identifikuese të Republikës së Kosovës: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi”, thuhet tutje. /Telegrafi/


















































