Nga: Naguib Mahfouz
Përktheu: Flurans Ilia
I zoti i bujtinës kujton, si një foto që asnjëherë nuk harrohet, se si një ditë një grua erdhi dhe rezervoi një dhomë veç për 24 orë. Ora ishte fiks 10:00 paradite.
Pamja kaq trallisëse e pranisë së seksit opozitar që i afrohej, krejtësisht e pashoqëruar, e bën bujtinarin t’ia mballosë sytë ngultazi, kureshtar.
Njëtrajtësisht, ajo dukej një grua e shkëlqyer mbresëlënëse, me shtatin e shtalbtë, finesën e tipareve dhe mprehtësinë e shikimit. Ajo u ndal te sporteli, duke qëndruar trupdrejtë nën mantelin e kuq dhe kapelën e bardhë. Nuk kishte asnjë dokument identifikimi, nuk punonte gjëkundi dhe as që ishte e martuar. Për më tepër, dukej si e ndarë nga burri, apo e ve.
Quhej Bahiga al-Dahabi dhe vinte nga Mansura e Deltës.
Bujtinari regjistroi krejt informacionin e nevojshëm dhe e përqasi drejt punonjësit të sportelit.
Sportelisti në krye të saj, duke mbajtur valixhen, më e rënda që kishte mbajtur ndonjëherë gjatë gjithë karrierës së tij, e orientoi gruan drejt dhomës nr. 12, në bujtinën e tyre të vogël. Pastaj u kthye pas një gjysmë ore, i habitur në fytyrë. Kur menaxheri e pyeti se çfarë ndodhi, ai vegoi hazër-xhevap:
“Ajo është një femër shumë e çuditshme!”
“Shpjegohu, çfarë nënkupton me këtë?” u sëkëlldis menaxheri. Sportelisti filloi të rrëfente se si ajo i kishte kërkuar të zbulonte shtratin nga mbulesa, batanijet dhe çarçafët, duke i hedhur në cep të dhomës. Përsa i përket krevatit, i kishte kërkuar ta lëviznin së bashku jashtë dhomës, me justifikimin se kishte fiksim se mos nga hapësira e krijuar poshtë vendit të fjetjes, fshihej një njeri. Ai i tha se frika e saj ishte e ekzagjeruar sepse asnjëherë nuk kishin ndodhur incidente të tilla që nga koha kur hoteli ishte bërë Bismilah. Por, ajo këmbëngulte, kështu që iu bind vullnetit të saj. “Duhet të kishe ardhur urgjentisht tek unë, zullap”, tha bujtinari. Sportelisti kërkoi të falur, duke thënë se megjithëse kërkesa e saj ishte e çuditshme, ai nuk kishte përdredhur asnjë nga detyrat që hoteli kishte si detyrim të përmbushë. Më tej e përmbylli historinë me fjalët se si ajo e kishte urdhëruar t’i hapte të gjitha kanatat e dollapit duke i lënë njashtu. Zëri i saj tregonte se kishte frikë nga dikush që mund të fshihej ose nën krevat, ose në dollap. Kështu që i plotësoi të gjitha urdhrat e saj, i buzëqeshi ashtu si ai di të buzëqesh gjithmonë dhe u largua. “Pjesa më e çuditshme është se ajo dukej grua azgane dhe trime”, cilësoi bujti-nari.
Pas pak e pyeti punonjësin e vet: “A të dha ndonjë bakshish?”
“Një peçe të plotë”, u mburr tjetri. “Natyrisht, ajo nuk është femër e rëndomtë, ndaj nuk besoj se do të kemi ndonjë turbullirë”, plotësoi menaxheri. “Më shpuri rruga përball derës së saj të mbyllur, kur po shkoja për në lavanteri, dhe dëgjova një zë të lartë të hasdisur brenda në dhomë”, tha sportelisti. “Ishte e vetme?” – “Gjithmonë, zëri i saj i dalldisur dëgjohej i vetëm”.
“Gjithë dynjaja bëjnë kështu”, tha menaxheri. “Zaten, vetëm pse ti flet me vete nuk do të thotë se je i lajthitur”. Sportelisti tundi kryet pa thënë kurrgjë. Tjetri e pyeti, “A je në gjendje të rikujtosh gjësend çka thoshte?”
“Jo, përveç shprehjes: Nuk është e rëndësishme!” Menaxheri dha të kuptohej për mbylljen e muhabetit. Një grimë më vonë, pasi shënoi diçka në regjistër, shtoi në drejtim të tjetrit: “Duhet të jesh vigjilent, kjo është detyra jonë, për çdo rast”.
Gumëzhinë bubullima dhe bujtinari e treti vështrimin te qielli përtej dritares ku gjeti mbulesa të dendura reshë. Moti kishte qenë i ftohtë me reshje të kohëpaskohshme. Ekzaktësisht në orën 1:00 të drekës, gruaja telefonoi prej dhomës nr. 12.
“A mundet të porosis diçka për të ngrënë?” pyeti ajo. “Ne nuk kemi ushqim në bujtinë, por është një gjelltore matanë xhadesë, çfarë dëshironi zonjë?”
“Perime të pjekura me mish pule, plus pilaf me tasqebap, gati nja një kile shishqebap të pjekur, një tas me sallatë orientale, mish qengji të mbështjellë me pite të ngrohta, ëmbëlsira dhe portokall”.
Megjithëse i zoti i bujtinës i porositi të gjitha gjellërat që ajo urdhëroi, gati sa nuk luajti nga fiqiri prej sasisë së ushqimeve. Vetëm mishi i pjekur mjaftonte për gjashtë persona. “Kjo qenka fiksim jo vetëm me frikën, por edhe me llupësinë”, i tha vetes. “Sidoqoftë, do të dal gjatë pasdites e do t’i hedh një sy dhomës”.
Ushqimi mbërriti. Një orë më vonë i zoti i gjelltores përkarshi erdhi t’i merrte paratë. Menaxheri nuk i rezistoi tundimit t’ua hidhte një sy pjatave. Të gjitha ishin të bëra xixë, përveç disa kockave të kruara mirë dhe pak salcë të mbetur. I shkau truri nga e gjithë kjo skenë, asgjë tjetër përveç kësaj gruaje, mënyrës se si ajo vështronte dhe vepronte, e shtynë në ngasje. Nuk mund të thoshte se ajo s’ishte e bukur, përkundrazi ajo zotëronte një forcë tërheqëse jo të zakontë. Ishte diçka e frikshme në raport me atë grua, së bashku me gjërat kurioze, madje nënshtruese, që të ngujonin.
Mbi të gjitha e kishte parë vetëm një herë, momentin e parë, atë ditë kur ajo i kishte lënë ndjesinë familjare që vinte së bashku me fytyrën, që mbartte prushin vetjak të kujtimeve të vjetra.
Drejt tij po vinin një burrë dhe një grua. “A qëndron këtu zj. Bahiga al-Dahabi?” pyeti burri. Bujtinari pohoi dhe telefonoi që të pyesë nëse zonja dëshironte që vizitorët të ngjiteshin lart në dhomë. Dukshëm, njerëzit ishin nga sërë e lartë, të kamur nga pikëpamja materiale. Era uturinte fuqishëm përjashta, duke i bërë shandanët të kërcenin në sallën e pritjes. Menjëherë papritur tetë persona të tjerë ia behën, katër gra dhe katër burra, duke përsëritur të njëjtën pyetje: “A qëndron këtu zj. Bahiga al-Dahabi?” Përsëri bujtinari telefonoi për lejimin e vizitorëve të rinj. Grupi, me pamje krenare, që ishin të së njëjtës sërë me çiftin e mëparshëm, u ngjitën drejt dhomës nr. 12. Tash bëheshin dhjetë vizitorë. Ndoshta farefis prej së njëjtës familje, ose thjesht miq, apo gjindja dhe kushërinj të përzier. Çfarëdoqoftë të ishte arsyeja, nuk kishte asnjë dyshim që Madam Bahiga nuk është një zonjë e rëndomtë. “Si përzgjodhi bujtinën tonë xhanëm?” pyeste veten i shqetësuar. Zallamahia u shpërnda menjëherë nga kthina e barit, ndërsa kamerierët e hotelit servirnin si pehlivan, gota çaji lart e poshtë, qyshkur menaxheri po mundohej të fiksonte disa nga fytyrat e të porsaardhurve. Por, mendoi me vete se gjëja më e mirë do të ishte ta fshinte nga truri, gjithçka në raport me Bahiga al-Dahabin. Të nesërmen ajo do të ishte veç një nga ato qindra fytyra të humbura në kujtesën e bërë lëmsh, të hotelit të vogël.
Përball tij u fanit një grua rreth të pesëdhjetave, që zotëronte një ekuilibër dhe sjellje të tejskajshme. “A qëndron këtu zj. Bahiga al-Dahabi?” Kur ai iu përgjigj po, ajo i tha: “Ju lutem, a mund ta njoftoni se doktoresha është këtu”. Kontaktoi damën në telefon. Një grimë më tej, i shtytur nga një arsye urgjente, e pyeti të porsaardhurën: “Cili është tamam profesioni juaj doktoreshë?”
“Gjinekologe”, u përgjigj ajo. Vërejti se tjetra nuk ishte prezantuar me emrin e saj, por me titullin e profesionit. A po e viziton damën kinse nga aftësia profesionale? Apo mos vallë Bahiga al-Dahabi vuan nga ndonjë sëmundje femërore? Ose, ndoshta, është thjesht me barrë? Nuk kishte kohë t’u jepte përgjigje të gjitha këtyre pikëpyetjeve që e kishin mbështjellë tërësisht, kur një burrë shkurtabiq dhe i shëndoshë, nursëz, u shpërfaq para tij. Duke u prezantuar si Jusuf Qabil, biznesmen ndërtimi, ai sikurse edhe të tjerët pozoi pyetjen tashmë të ripërsëritur: “A qëndron këtu zj. Bahiga al-Dahabi?” Pasi shushuriti në telefon dhe mori lejen e nevojshme që “bosi” i ndërtimit të ngjitej lart në dhomën e saj, shpërvoli një buzëqeshje të përhumbur sarkastike.
Një nga sportelistët u rikthye duke u dridhur nga jashtë, copë-copë nga i ftohti. Errësira, tha i porsahyri, është mbledhur nga të katër anët e qiellit dhe së shpejti dita do të bëhet natë. Vështroi jashtë dritares.
Po mendonte rishtas për gruan e dhomës nr. 12. Misterioze. Femër fatale. Filloi të ndiej se si një rrymë paqëndrueshmërie dhe e pavolitshme ishte shpërndarë nëpër hotel qyshkur ajo kishte mbërritur aty. Rrymë që i lejonte ndjesisë së tij të brendshme, nxitje, të ëndrrave të adoleshencës, madhështinë molisëse të të qenit i pasur, sundimtar mbi botën.
U trondit nga ëndërrimi obskur kur një zë i papritur pyeti: “A qëndron këtu zj. Bahiga al-Dahabi?” Një njeri trupmadh i mbështjellë me xhybe të kaftanët, çallmë të lidhur mbi krye, dorën e shtrënguar në dorezën ngjyrë gri të ombrellës. “I thoni se Blind Sajed, pastruesi i kufomave ka mbërritur”. Gjoksi i bujtinarit brofi nga vendi. Kërcëlliti dhëmbët nga tmerri dhe, duke nëpërdhëmbur, mallkoi burrin dhe gruan bashkë. Por, gjithsesi kreu detyrën duke telefonuar. Për të parën herë mori një përgjigje krejt të kundërt nga të gjitha të mëparshmet. “Ju lutem, mund të prisni në sallën e pritjes, zotëri”, e urdhëroi sipërmarrësin.
Allah-Allah, për çfarë ka ardhur ky edepsëz këtu? Pse nuk pret përjashta, por na sjell tersllëk? Punonte për pesëdhjetë vjet në këtë hotel dhe asnjëherë nuk kishte parë diçka të përngjashme me atë që po ndodhte këtë ditë. Ndiente frikë se shiu do fillonte të zbriste poshtë me rrëke e shkulmë dhe do t’i mbante të ngujuar në hotel, kushedi se për sa kohë të ardhurit. Për më tepër që tashmë, midis të tjerëve, ishte edhe sipërmarrësi i Vdekjes!
Myshterinj të rinj mbërritën. Ata erdhën të ndarë, sërë-sërë: pronari i dyqanit të mobilieve të shtrenjta, pronari i supermarketit, pronari i lëngjeve të frutave, pronari i parfumeve dhe asortimenteve kozmetike, zyrtari i lartë i Thesarit të Shtetit, shefi i redaksisë së gazetës më në zë të vendit, biznesmeni i shitjes së peshkut me shumicë, i autorizuari i firmës për mobilimin e shtëpive, këshilltari i një milioneri arab.
Nëpërmendi se mos dama do ta zhvendoste bashkësinë e krijuar në sallën e pritjes por, çuditërisht, ajo i lejoi të gjithë mysafirët të ngjiteshin lart në dhomë, njërin pas tjetrit. Kamerierët sollën gjithmonë e më tepër gota çaji dhe karrige, ndërsa ai, bujtinari i bujtinës së vogël, mëdyshej se ku do të gjente vend për të ulej gjithë ky kallaballëk. A e njohin njëri-tjetrin qysh më parë? Dhe çfarë i ka sjellë të gjithë së bashku?
Thërriti sportelistin pranë dhe e pyeti se çfarë dinte më tepër për sa po ngjet. “Nuk e di, nuk di asgjë zotëri”, u përgjigj sportelisti. “Duart zgjaten jashtë derës duke marrë karriget dhe çajin dhe firojnë përsëri brenda portës pa na dhënë mundësinë të shohim së ç’bëhet brenda dhomës”. Menaxheri mblodhi supet. Për aq kohë sa askush nuk ankohej, i tha vetvetes, nuk kishte pse ndihesh keq.
Blind Sajed, pastruesi i kufomave, u avit drejt tij. “Dua t’i kujtoj zonjës se jam duke pritur”, tha. “Ajo premtoi se do t’ju thërrasë në kohën e duhur, zotëri”, i tha menaxheri me një ndjenjë të dukshme mospërfillje. Por, tjetri as që lëvizi nga vendi ndaj u detyrua të telefonoj përsëri duke ngrehur receptorin drejt sipërmarrësit. “Madam, ka kaluar orari i faljes në aksham dhe ju e dini se në dimër dita është e shkurtër”, foli qortueshëm Sajed. U përkul mbi telefon, duke dëgjuar një grimë dhe më tej e mbylli aparatin e komunikimit duke u kthyer përsëri në sallën e pritjes.
Nga thellësia e shpirtit bujtinari e nëmi burrin në heshtje. S’kishte dyshim se zonja ishte shkaktarja kryesore që kishte prurë një lugat të tillë në hotel. I mendonte të gjitha këto, ndërsa shikimin e kishte ngulur në portën e hyrjes plot mllef. Disa zonja zbritën poshtë nga dhoma nr. 12. Frika që e kishte zaptuar u duk se u pakësua kur ato u drejtuan drejt portës së jashtme. “Ja, më në fund disa po ikin dhe të tjerë do të largohen më vonë, gjersa nata të bjerë plotësisht besoj do të jenë bërë firë të gjithë”, e justifikoi vetveten. Shqetësohej sepse vetë pozicioni dhe përgjegjësia e tij mund ta shtynin në konfrontim me ata dhe gjindja i përkiste një klase të fuqishme. Shqetësimi dyfishohej me erën që fërshëllente dhunshëm jashtë portës dhe ndjenjën e pikëllueshme që kishte mbuluar rrugët.
Përtej këtij pikëllimi të pandalshëm ku zemra e tij hovte prej gjoksi, ai vërejti mu në portën e hotelit, një grup burrash e grash të veshur me mushamatë e shiut. “Për tek madam Bahiga al-Dahabi?” pyeti duke i çuditur të porsaardhurit. Njëri syresh duke qeshur tha: “Po. I thoni zonjës, ju lutem, se delegatët e Organizatës Trashëgimtarët e Rilindjes kanë mbërritur”. Kështu që telefonoi dhe pasi ajo e dha pëlqimin e saj, shtoi ngulmueshëm: “Janë dhjetë persona, zonjë e nderuar, dhe salla e pritjes këtu poshtë është në dispozicionin tuaj në rast nevoje”. “Nuk është e nevojshme, ka vend të mjaftueshëm në dhomë”, kundërshtoi ajo.
Ndërsa delegatët u ngjitën, bujtinari tundi kokën gjithë konfuzion. Herët a vonë do të kemi sherr, mendoi. Si të nxitej prej zallamahisë së kallaballëkut jo të zakontë në dhomën nr. 12, furia e furtunës ishte gati në shpërthim përjashta. I rikthyer në sallën e pritjes, rroku me një vështrim Blind Sajedin – pastruesin e kufomave – duke u zvarritur drejt tij. Goditi me nyjën e gishtit tundueshëm sportelin dhe drejtoi aparatin e telefonit nga tjetri përpara se ky të fliste. Menaxheri dëgjoi ankimet e tij drejt gruas fatale. Më tej sipërmarrësi shtoi si për justifikim drejt tij: “Të presësh pa bërë asgjë është me të vërtetë e mërzitshme”. Menaxheri u tërbua dhe u bë gati ta shante kur dama telefonoi në moment, duke kërkuar që ta lidhnin në telefon me gjellëtoren përkarshi. Biseda e saj zgjati disa minuta.
A do të qëndrojnë në dhomë gjer për darkë, peshoi situatën, edhe në qoftë se po, ku do të darkojnë? Sa do të donte t’i hidhte një sy dhomës. Duhet të ishte një skenë jashtë çdo imagjinate, një dalldi e vërtetë.
Rrëketë vazhdonin përjashta pa asnjë ngutim për t’u ndalur. Një grup profesorësh të Universitetit dhe klerikë të lartë hynë duke diskutuar ethshëm, aq sa thjesht nuk bëzajti, por i lejoi të shkojnë lart. Situata ishte shndërruar në makth kur një i panjohur u fut pa pyetur, pa u ndaluar te sporteli.
Bujtinari thirri me zë të lartë për ta ndalur shkelësin e rregullores, por ky edepsëzi u ngjit me vrap pa kthyer xhevap. Atëherë drejtuesi i hotelit urdhëroi muhaxhirët t’i qepeshin pas të paudhit, por këta nuk e arritën sepse me të mbërritur përball dhomës nr. 12, ky u zhduk pas porte si ta kishte përpirë diçka e vrullshme.
U ndie totalisht i vetëm, kishte humbur kontrollin rrënjësor mbi bujtinën e vet. Po bëhej gati të mblidhte kokë për kokë sportelistë dhe punonjës, kur një burrë u shfaq, ndihma e paevitueshme e të cilit ishte e pazëvendësueshme. Shkëmbyen përshëndetje nën shtrëngime duarsh kur i zoti i bujtinës i tha: “Ju keni ardhur tamam në kohën e duhur, i nderuar z. inspektor”
“Tregomë regjistrin”, tha oficeri qetësisht.
“Gjëra të çuditshme po ndodhin këtu”, llomotiti tjetri.
Ndërsa inspektori, oficer sigurimi, qëmtoi emrat në regjistër, dhe skicoi në bllok, bujtinari ndërhyri përsëri: “Sa po shoh, ju keni ardhur dhe jeni i interesuar për dhomën nr. 12, zotëri? Allah-Allah, rebelim i madh, hata e vërtetë po ndodh atje”.
“Gjithçka që gjendet në natyrë duhet të jetë e natyrshme”, tha inspektori i shpërqendruar, ndërsa duke folur u largua nga sporteli: “Po qe se ndokush më kërkon në telefon, do të jem në dhomën nr. 12”.
Sikur i ra damllaja. Një grimë kishte besuar se syri dhe veshi i qeverisë e dinte se ç’po ndodhte në hotel. Rikujtoi se duhej t’i rimblidhte muhaxhirët kur përsëri shikimi i kapi Blind Sajedin që avitej drejt tij. E humbi durimin dhe nervat, duke bërtitur: “Zonja të tha se duhet të presësh gjersa ajo vetë të të ftojë lart!” Tjetri u ngërdhesh qortueshëm nën servilizmin e zakonshëm ndërsa ndërhyri: “Dakord, por po pres që prej një kohe të gjatë…”
“Ju lutem prisni pa bëzajtur. Mos harroni se jeni në hotel dhe jo në bahçen tuaj zotëri!” turfulloi. Tjetri u tërhoq në dukje i qetë, ndërsa bujtinari thirri sportelistin. “Si po vënë gjërat në dhomën nr. 12?”
“Nuk e di, por zallamahi e madhe është duke u bërë”.
“Si nuk shtrydhen brenda?! Duhet të jenë në prehrin e njëri-tjetrit tashmë!” tha i matufepsur.
“Aq sa di ti, di dhe unë”, u përgjigj sportelisti. “Sidoqoftë oficeri i sigurimit është atje brenda”.
Bujtinari shkoi përsëri pranë dritares dhe vërejti se si nata peshonte rëndë-rëndë në boshllëk. Drita po fikej plotësisht jashtë mureve të hotelit, me derdhje rraskapitëse ndriçimi drejt e prej atmosferës së lagësht të bymyer nga era zhurmonjëse që ulërinte përjashta. Një batalion i vërtetë kamerierësh erdhën nga restoranti përkarshi, duke mbajtur takëme të mbushura me të gjitha llojet e gjellëve, dhe mpirja e mendjes së tij u rrit edhe më tepër. Dhoma ka vetëm një të vetme tavolinë buke, ku do t’i shtrojnë gjithë këto pjata? Si do t’i hanë gjithë këto ushqime xhanëm? Njëri nga sportelistët i tha se dyert e dhomës tash nuk mund të hapeshin dot dhe ushqimi po hynte veçse nga dritarja e vogël e ajrimit. Zallamahia dhe sikleti i dhomës po pikëllonte krejt hotelin, e gjithë shfaqja ishte thjesht e pabesueshme.
Pas gjysmë ore, një nga sportelistët konfirmoi se njerëzit që ndodheshin në dhomën nr. 12 ishin bërë hazër në të pirë. “Por, nuk vura re asnjë shishe të ngjitej lart!” u shkartis menaxheri. “Ndoshta i kanë fshehur nëpër xhepa”, hamendi sportelisti. “Janë duke kënduar, bërtasin dhe duartrokasin, burra dhe gra, si haramsëzër të bërë xurxull”.
“Po inspektori?”
“E dëgjova edhe zërin e tij teksa këndonte: O aman, ooo saman aman aman, kjo dynjah është veç duman, duman edhe raki!!!”, tha sportelisti.
Bubullimat u ndien përjashta, ndërsa bujtinari i tha vetvetes: “Mundet të jem duke ëndërruar, ose thjesht po çmendem”.
Në zgripe të mendimeve një grup i porsaardhur u afrua. Nga fytyrat dhe veshjet dukej qashtër se i përkisnin një sëre të ulët shoqërore, dukeshin fakir-fukarenj. Pyetën nën formulën e njohur të pashmangshme: “A qëndron këtu zj. Bahiga al- Dahabi?” Dëshpërimisht buzëqeshi dhe kontaktoi me telefon gruan fatale. Ajo iu lut t’i mbante të porsaardhurit në sallën e pritjes dhe t’u shërbente për të pirë gjithashtu. Pamja e sallonit tashmë po e pikëllonte edhe më tepër. “Ky hotel nuk është më hotel. Unë nuk jam më pronari i tij. Kjo ditë nuk është më ditë. Lunatizmi po zgërdhihet me ne në trajtat e rakisë, duhmës të cigareve dhe mishit të pjekur!”
Shiu filloi të zbresë litar-litar, i shoqëruar me shkreptima rrufesh që zbrisnin nga qielli. Kalldrëmi i hyrjes së hotelit po ndriçohej zbehtë veç nëpërmjet llambave të ndezura brenda tij. Sportelisti u qa: “Veç një Zot mund të na shpëtojë!”, ndërsa të gjithë të porsaardhurit u strehuan në hajat. Kutitë elektrike majë shtyllave në xhade filluan të shpërthejnë nën trysninë e shiut që njëkohësisht godiste xhamat e dritareve pa pushim. Bujtinari i ngujuar pas shulit të portës kryesore i kishte ngulur sytë drejt e mbi qiellin e errët. Gradualisht poshtë mbi rrugën e përbaltur ishte krijuar një rrymë uji e cila merrte me vete rrëmbimthi guralecë dhe llucë. Rrebeshi vinte nga lart duke shkaktuar valë të tërbuara mbi tokën fatkeqe. “Nuk kemi parë hata të tillë, të paktën përgjatë një breznie të tërë”, dëshmoi ai.
Duke kërkuar pas në të shkuarën e tij, mu përpara syve iu shfaq, një përmbytje e tillë nga koha e fëmijërisë. Kujtonte se si atëherë përmbytja kishte bllokuar transportin, fundosur rrugët, shkapërderdhur banesat dhe shkalafitur tavanet. Menjëherë u pozicionua në sportel duke qartësuar të gjitha ndodhitë e mbajtura shënim, pa harruar të japë urdhra dhe orientime për t’i bërë shqisat katër, e sidomos për të mbajtur nën kontroll absolut të gjitha dhomat dhe çatinë.
Në survejim e sipër të krejt situatës pyeti të parin punonjës që iu shfaq atypari: “Më thuaj shpejt të rejat nga dhoma nr. 12?”
“E qeshura dhe kënga nuk ka asnjë shenjë mbarimi, zotëri”, tha tjetri duke mbledhur buzët: “Janë azdisur fare, akoma më keq!” Blind Sajed iu largua sallës së pritjes dhe u drejtua drejt derës së jashtme. “Zbythu pas te vendi yt!” iu lëshua me zë të lartë bujtinari. Sipërmarrësi tentoi ta kapte dorezën e derës kur tjetri i turfulloi përsëri akoma më me tërbim: “Nuk do të paralajmëroj më, more vesh. Kthehu pas!”
Rrufetë shpërthenin si bomba dhe shiu përplasej si breshëri mbi parvaze dhe trotuare. I zoti i bujtinës përllogariti se bujtina e tij e vjetër ishte ndërtuar pa betonime të përforcuara dhe nata paralajmëronte për dëme të mëtejshme.
Sportelisti i tha: “Kemi ankesa nga dymbëdhjeta për rrjedhje nga tavani dhe uji është duke e përmbytur dhomën”.
“Dmth., ndaluan nga hajengu?” pyeti i irrituar.
“Atëherë yrysh, hajde le ta lëshojnë dhomën!”
“Nuk munden!”, kundërshtoi sportelisti.
Por, bujtinari vendosmërisht vazhdoi: “Djem, dhomat po përmbyten, ndaj mobilizoni krejt personelin të mbyllni vrimat nga ku rrjedh uji dhe t’i përforcojmë pritat me thasë prej rëre!”
“Po dhoma nr. 12 ?” u dëgjuan zërat e punonjësve.
“Ata janë ngjeshur brenda saj. Nuk mund të bëjnë xhap përjashta sepse mulla e tyre është fryrë së tepërmi aq sa nuk mund ta hapin derën!”
Tufani ndëshkoi natën përjashta, brenda mpirja totale kishte uzurpuar hotelin, ndërsa punonjësit gulçonin me thasë rëre ndër duar duke u përpjekur ta ndalnin pushtimin e shiut që po depërtonte brenda mureve.
Në këtë çast mbi të gjitha ndodhi gjëja më e veçantë: fakir-fukarenjtë që ishin duke pritur në sallën e pritjes vrapuan të ndihmojnë në përpjekjen e mundimshme të sapokrijuar.
Bujtinari shikonte i mallëngjyer dhe krenar gjithë këtë skenë në të cilën vetëm Blind Sajed, pastruesi i kufomave, nuk mori pjesë.
Pak më vonë sportelisti raportoi përpara tij: “Të varfrit po bëjnë gjithçka është e mundur për ta parandaluar fatkeqësinë” foli ai gjithë krenari. “Por, për sa i përket dhomës nr. 12, ata vazhdojnë të jenë në kushte shumë të vështira të cilat po keqësohen gjithmonë e më tepër, imzot”. Për sa tha më sipër tjetri, bëri që krejt qenien e bujtinarit ta përshkojë ndjenja e grevistit, njeriut që në shenjë proteste abandonon gjithçka qëllimisht. Nga një njeri i përmbajtur gjer në ato çaste, ai u kthye në një të revoltuar. Neveria që kishte kapluar trupin, mishin, gjakun, nervat dhe shpirtin e tij, më së fundmi dorëzoi edhe rreckat e fundit të urtësisë nënshtruese.
“Dëgjo”, bërtiti me zë të lartë: “Dëgjomë më vëmendje se ç’po të them…” Sportelisti zgurdulloi sytë i shokuar, ndërsa i zoti i bujtinës me zërin e ngritur, dha i vetësigurt verdiktin e tij final:
“Harroooje. Harroje dhomën nr. 12 dhe të gjithë dynjanë brenda saj!”
“Imzot, atje burrat po thërrasin dhe gratë po qajnë!” Duke ulëritur si një bishë e plagosur, bujtinari urdhëroi:
“Përqendrohuni mbi çatinë e sallës së pritjes, merrni vesh apo jo. Për sa i përket dhomës nr. 12, harrojeni, lëreni ashtu si është, me gjithçka dhe gjithsecilin që ka brenda!”
Sportelisti thjesht ngurroi për momentin, por zëri shkumëzues i tjetrit në vijueshmëri e shkundi nga vendi: “Vëri vath në vesh të gjitha sa po të them, nguli në tru pa t’u dridhur gjunjët! Kupton?!”
Nga dritarja e sallonit bujtinarit të asaj bujtine të vogël iu shpërfaq stuhia që po thyej në zemër të territ, duke shpëlarë kalimthi çdo çast në ikje.
Ndjeu se pesha e barrës po i lehtësohej thellë në shpirt, ndërsa vetëbesimi po i rikthehej së bashku me kthjelltësinë e mendjes. /Revista “Akademia”/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëTraditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare
Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!
Histori e shkurtë e muzikës shqiptare: Thesari ende i panjohur
Harta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve
Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj