Dështon zbatimi i ligjit antiduhan

Sipas drejtorit të ISHP-së, Enver Roshi, njëra nga arsyet e dështimit pretendohet të jetë shpërndarja e madhe e kompetencave. Kështu inspektorët sanitarë hartonin gjobat, kurse policia bashkiake, duhet t’i vilte, mision të cilin ajo nuk e ka kryer duke rezultuar në një numër të madh gjobash të pambledhura. Për këtë arsye, ai propozon që gjobat të hartohen dhe vilen nga i njëjti institucion.
“Jemi duke rimodeliuar funksionet e Inspektoriatit të Lartë Shëndetsor, i cili duhet të jetë si një trupë e vetme, me përqëndrim të të gjitha funksioneve në një trupë të vetme të inspektoriateve sanitarë. Kërkohet një koordinim më i mirë i policisë bashkiake, asaj komunale që bëjnë të mundur të eleminohet duhanpirja dhe të minimizohet në ato vende ku është e mundur”, tha Roshi.
Ndërkohë, specialistët propozojnë që gjoba përveç menaxherit apo pronarit të lokalit t'i adresohet edhe personit që e konsumon atë në ambientet e ndaluara. Por, kryeinspektori i Anglisë për Duhanin insiston se duhet të jenë menaxherët e lokaleve ata që duhet të ndëshkohen.
"Të gjobiten menaxherët apo drejtuesit e lokaleve që ligji të bëhen funksional. Janë ata që nuk duhet të lejojnë konsumimin e duhanit në ambientet që zotërojnë", tha Xhon Grei, kryeinspektor i Anglisë për Duhanin. Zoti Grei shtoi se Shqipëria duhet të organizojë më shumë fushata sensibilizuese.
Në Shqipëri, pothuajse 40 % e popullsisë konsumon duhan, ndërkohë 14% e tyre i përket moshës 13-15 vjeç. Sipas statistikave, një në 3 persona të kësaj moshe e kanë nisur duhanin rreth moshës 10 vjeç. Tendencë në rritje kanë shifrat për femrat duhanpirëse.
Ndërkohë dihet se pirja e duhanit shkakton mbi 25 sëmundje dhe në botë renditen mbi 5 milion vdekje ne vit nga duhanpirja. Sipas ekspertëve, nëse konsumimimi i duhanit vazhdon me këto rritme parashikohet, që vdekshmëria nga përdorimi i tij pritet të dyfishohet në vitin 2030./Telegrafi/












































