Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar seanca gjyqësore ndaj Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, të akuzuar për krime lufte.

Kjo ndodhi me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit, Zoran Kostiq i cili tha se deklaratën e dëshmitarit që sot ishte paraparë të dëgjohet e kanë pranuar në gjuhën serbe me vonesë. Sipas tij, të njëjtën e kanë pranuar vetëm 10 minuta para fillimit të seancës, raporton KP.


Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq akuzohen se në cilësinë e pjesëtarëve të policisë serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.

Prokurorja e rastit, Florije Shamolli kërkoi që seanca të vazhdohet me marrjen në pyetje të dëshmitarit, Naim Haliti vetëm nga ana e prokurorit.

Por, kjo përsëri u kundërshtua nga avokati i Kostiq, Predrag Milkoviq.

Më pas kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala tha se duke mos dashur t’ia mohojë të drejtën mbrojtjes për një mbrojtje efektive nuk ka kushte për vazhdim të seancës dhe ndërpreu seancën.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 24 nëntor në ora 13:15.