Albulena Haxhiu, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, nuk po arrin të sigurojë votat e mjaftueshme për të marrë këtë pozitë.

Emri i kandidates Haxhiu është hedhur në votim gjashtë herë deri tani. Në pesë seancat e mëparshme, ajo ka marrë vetëm 57 vota, ndërsa sot për të votuan vetëm 54 deputetë. LVV vazhdon të insistojë që Haxhiu duhet të zgjidhet kryeparlamentare, ndërsa opozita mbetet kundër këtij propozimi.


Telegrafi ka realizuar një sondazh me pyetjen “A duhet LVV të propozojë një kandidat/e tjetër për kryetarin e Kuvendit, pas dështimit për ta zgjedhur Albulena Haxhiun?”

Në këtë sondazh, që ka qenë i hapur për disa ditë, kanë marrë pjesë 2,707 qytetarë. Prej tyre, 57 % janë shprehur se duhet të ndryshohet kandidatja, ndërsa 43% janë përgjigjur me JO. Sondazhi vazhdon të jetë i hapur dhe mund të votoni në fund të artikullit.

Ndërkohë, pas dështimit të përsëritur për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidate për këtë post, ka folur në një intervistë për emisionin “Përballje” në Telegrafi.com, ku ka deklaruar se se refuzimi i kandidaturës së saj është pasojë e qëndrimeve opozitare.

Ajo sqaroi se sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, vetëm partia fituese ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Është në diskrecion të Lëvizjes Vetëvendosje të propozojë kandidatin, jo të partive tjera”, theksoi Haxhiu, duke shtuar se refuzimi i emrit të saj është pasojë e qëndrimeve opozitare.

Duke folur për kritikat se është figurë përçarëse, Haxhiu tha se këto etiketime vijnë për shkak të angazhimeve të saj kundër marrëveshjeve që, sipas saj, kanë dëmtuar interesat e qytetarëve dhe Republikës së Kosovës.

Ndryshe, seanca e radhës do të mbahet më 1 maj duke filluar nga ora 10:00. /Telegrafi/