Derbi i Tel Avivit anulohet pas trazirave të dhunshme, 12 të lënduar dhe 9 të arrestuar

Derbi i futbollit në Tel Aviv ndërmjet Hapoel dhe Maccabi është anuluar pas trazirave të dhunshme, njoftoi policia izraelite.
Ndeshja duhej të zhvillohej të dielën në mbrëmje në stadiumin “Bloomfield”, i cili ndahet nga të dy klubet.
Në një deklaratë zyrtare, policia bëri të ditur se ndeshja u anulua “për shkak të shqetësimeve dhe rrezikut për jetën e njerëzve”.
Sipas njoftimit, “dhjetëra granata tymuese dhe pajisje piroteknike u hodhën, duke plagosur 12 civilë dhe tre oficerë policie”.
Në vendngjarje u arrestuan 9 persona dhe u ndaluan 16 të tjerë për marrje në pyetje.
Maccabi Tel Aviv njoftoi: “Pas vendimit të policisë, u konfirmua se derbi i Tel Avivit nuk do të zhvillohet sonte”.
Pamjet e publikuara nga policia tregojnë fishekzjarrë dhe objekte të hedhura në fushë, si dhe përleshje jashtë stadiumit mes tifozëve dhe forcave të sigurisë.
Ky zhvillim vjen në një moment kur tifozëve të Maccabit u është ndaluar të udhëtojnë për ndeshjen e Ligës së Evropës kundër Aston Villës në Birmingham muajin e ardhshëm, pas një vendimi të Grupit Këshillimor të Sigurisë (SAG).
Sipas autoriteteve britanike, vendimi është marrë për shkak të “rrezikut të lartë të dhunës”, bazuar në informacione aktuale dhe incidente të mëparshme.
Qeveria britanike ka bërë të ditur se po shqyrton “burime shtesë sigurie” për të mundësuar që “të gjithë tifozët” të marrin pjesë në ndeshje në kushte të sigurta./Telegrafi/

















































