Megjithatë, deputetët gëzojnë vetëm imunitet funksional për pikëpamjet e shprehura, mënyrën e votimit apo vendimet e marra gjatë punës së tyre si deputetë dhe veprimet e tjera të ndërmarra gjatë kohës që janë duke kryer detyrat e tyre.

Ky lloj imuniteti vazhdon edhe pasi mandati i tyre të mbarojë dhe ka kohëzgjatje të pakufizuar. Pra, ata kurrë nuk do të jenë të detyruar t'i përgjigjen askujt apo ndonjë gjykate për veprime dhe vendime të tilla. Por, në të gjitha veprimet që merren jashtë veprimtarisë dhe përgjegjësive të tyre, ata nuk gëzojnë kurrfarë imuniteti dhe janë raste të njëjta për drejtësinë, sikur njerëzit e rëndomtë. Kështu kishte vlerësuar Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin në Rastin Nr. K098/11, transmeton Republika.info.


"Vërtet, për shkak të karakteristikave dhe rëndësisë së të drejtave dhe detyrave të deputetëve, ata kanë pozitë të privilegjuar brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. Për shkak të këtij statusi të posaçëm, si përfaqësues të zgjedhur që kryejnë mandatin e tyre kushtetues, ata gëzojnë imunitet i cili u mundëson liri, siguri dhe pavarësi më të madhe nga ekzekutivi dhe gjyqësori, por vetëm deri në masën që veprimet dhe vendimet e tyre ndërmerren brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre“, kishte arsyetuar Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj.

Me këtë, Gjykata Kushtetuese kishte pohuar se deputetët nuk gëzojnë imunitet funksional nëse veprimet e tyre janë jashtë fushëveprimit të përgjegjësisë së tyre.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta përcakton në mënyrë të qartë fushëveprimin e përgjegjësive të deputetëve. Ato janë veprime dhe vendime që ndërmerren për t'i kryer kompetencat e Kuvendit të Kosovës, të përcaktuara në nenin 65 të Kushtetutës. Si rrjedhojë, transmeton Republika.info, deputetët gëzojnë imunitet vetëm për veprimet ose vendimet e ndërmarra që kanë të bëjnë me:

(1) miratimin e ligjeve, rezolutave dhe akteve të tjera të përgjithshme;
(2) vendimin për ta ndryshuar Kushtetutën me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara dhe të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë;
(3) shpalljen e referendumit, në pajtim me ligjin;
(4) ratifikimin e traktateve ndërkombëtare;
(5) miratimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës;
(6) zgjedhjen dhe shkarkimin e Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit;
(7) zgjedhjen dhe shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës në pajtim me këtë Kushtetutë;
(8) zgjedhjen e Qeverisë dhe shprehjen e mosbesimit ndaj saj;
(9) mbikëqyrjen e punës së Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit;
(10) zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë;
(11) propozimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese;
(12) mbikëqyrjen e politikës së jashtme dhe të sigurisë;
(13) dhënien e pëlqimit për dekretin e Presidentit mbi shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme;
(14) vendosjen për çështjet me interes të përgjithshëm, të përcaktuara me ligj.

Neni 74 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës shprehimisht përcakton që deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit.

Me këtë, çdo veprim i deputetit jashtë fushëveprimit të cekur si më sipër dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit, siç është pengimi i mbajtjes së seancave të Kuvendit dhe hedhja e gazit lotsjellës brenda Kuvendit, nuk mbulohet nga imuniteti funksional. /Republika.info/