Ndryshe, siç heqin dorë lehtë duke bojkotuar seancat, deputetët këtë nuk e kanë bërë edhe kur është fjala tek udhëtimet zyrtare jashtë shtetit dhe mëditjet për ato udhëtime. Vetëm për udhëtime jashtë shtetit, deputetët kanë shpenzuar mbi 55 mijë euro. Po për udhëtimet jashtë shtetit, deputetët kanë marrë mbi 48 mijë euro mëditje, transmeton KTV.

Kurse, akomodimi jashtë vendit u ka kushtuar mbi 10 mijë euro. Mbi 10 mijë euro deputetët kanë shpenzuar edhe brenda vendit. Ata 35 mijë euro i shpenzuan për kompjuterë. Paga dhe mëditje, për nëntë muaj, deputetët morën mbi dy milionë e 230 mijë euro.


Shikuar në përgjithësi, deputetët për nëntë muaj kanë shpenzuar gjithsej mbi dy milionë e 500 mijë euro. E, hiq më pak nuk ka shpenzuar edhe Administrata e Kuvendit. Për paga dhe mëditje kanë marrë mbi një milion euro, ndërsa për telefon fiks dhe mobil, administrata ka shpenzuar mbi 55 mijë euro.

Ndërkohë, shoqëria civile kritikon Kuvendin e Kosovës për shpenzimet që deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë bërë për nëntë muaj, nga 1 janari deri më 30 shtator të këtij viti. Analisti Avni Zogiani i ka quajtur këta deputetë të Kuvendit të papërgjegjshëm, të cilët mendojnë për komfortin e tyre e jo për përgjegjësitë institucionale. Zogiani tha se janë pikërisht këta deputetë që kanë pagën dhe mëditjet më të mëdha në rajon, ndërsa për punën që bëjnë nuk do të duhej të kishin pagë më të lartë se ajo mesatare në Kosovë, raporton KTV.

Edhe KDI-ja, e cila është monitoruese e rregullt e punës së Kuvendit, vlerëson se shpenzimet e deputetëve janë në disproporcion me punën që ata e bëjnë. Valmir Ismajli thotë se Kuvendi do të duhej të ishte gardian i shpenzimeve të institucioneve tjera. /KTV/Koha/