LAJMI I FUNDIT:

Deputetë “milionerë”, por qiranë ua paguan shteti (Dokument)

Deputetë “milionerë”, por qiranë ua paguan shteti (Dokument)

Janë 10 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët përfitojnë ndihmë nga shteti për qiranë e shtëpisë në Tiranë, në një shumë prej 35 mijë lekësh të reja.

Sipas listës të publikuar nga Top Channel, deputetët që marrin paratë e qirasë nga shteti janë nga të dyja palët, si të opozitës, ashtu edhe të pushtetit. Ata kanë shfrytëzuar të drejtën që u jepen me ligj, sipas të cilave një deputet që nuk banon në Tiranë, i garantohet ndihmë financiare nga shteti.

Mes tyre bie në sy emri i Nard Ndokës, pasuria e të cilit arrin më shumë se 900 mijë euro, ish-kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi dhe ish-këshilltari i Ramës, Fate Velaj që falë koleksioneve artistike arrin një pasuri prej 1.4 milion eurosh, e megjithatë e kanë të pamundur të paguajnë vetë qiranë e shtëpisë në Tiranë.


Sipas të dhënave të publikuara nga emisioni Exlusive në Top Channel, pasuria e 140 deputetëve e mbledhur bashkë shkon në total rreth 150 milionë.

Në këtë llogari mungojnë deklaratat e pasurisë së deputetëve më të vjetër që nuk kanë deklaruar pasurinë para shumë viteve, por vetëm shtesat ndër vite. /Telegrafi/