Demokratët në Senat paralajmërojnë: Kina po rrit ndikimin në Ballkan
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, anëtare e lartë e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, së bashku me anëtarët demokratë pakicë të këtij komiteti, kanë publikuar një raport të ri që shqyrton qasjen e administratës së presidentit Donald Trump ndaj Kinës.
Raporti trajton edhe ndikimin e Kinës në Ballkan.
Raporti i pakicës së demokratëve në Komitetin e Senatit të SHBA-së për Marrëdhënie me Jashtë ngre shqetësime për zgjerimin e ndikimit ekonomik të Kinës në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë, në një kohë kur – sipas raportit – është dobësuar koordinimi strategjik i Shteteve të Bashkuara me aleatët në rajon.
Sipas raportit, Kina ka zgjeruar ndjeshëm praninë e saj ekonomike në vende si Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi.

Sipas dokumentit, braktisja e koordinimit me aleatët dhe mesazhet e përziera të administratës Trump për Kinën, si dhe zbutja e qasjes ndaj llogaridhënies në rajon, reflektojnë një tërheqje më të gjerë nga aleancat dhe institucionet që kanë mbështetur për dekada sigurinë e SHBA-së dhe Evropës.
“Si rezultat, Kina ka zgjeruar gjurmën e saj ekonomike në të gjithë rajonin – veçanërisht në Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi. Shqipëria prej kohësh krenohet se është një nga vendet më pro-amerikane në botë. Megjithatë, ndërsa tregtia me Shtetet e Bashkuara ka rënë, lidhjet tregtare me Kinën janë zgjeruar”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të cituara në dokument, në nëntë muajt e parë të vitit 2025 importet e Shqipërisë nga Kina u rritën me 23.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke reflektuar ndryshime në trajektoren e flukseve tregtare dypalëshe.

Raporti thekson gjithashtu se Serbia ka kompensuar uljen e varësisë nga Rusia duke rritur lidhjet ekonomike me Kinën.
“Serbia ka kompensuar varësinë e saj të reduktuar nga Rusia duke rritur lidhjet ekonomike me Kinën, gjë që është gjithashtu strategjikisht e rëndësishme për mbështetjen e Kinës ndaj qëndrimit të Serbisë për Kosovo në institucionet shumëpalëshe. Duke dobësuar partneritetin transatlantik, duke sinjalizuar tolerancë për sjellje autoritare dhe duke ia lënë hapësirën ekonomike dhe politike Pekinit dhe Moskës, administrata Trump ka krijuar kushte për zgjerimin e ndikimit të tyre”, thuhet në raport.
Dokumenti trajton edhe rolin e Millennium Challenge Corporation (MCC) si një instrument të rëndësishëm të SHBA-së për të ofruar alternativa ndaj financimit kinez në kuadër të iniciativës Belt and Road Initiative.

Sipas raportit, administrata Trump ndërpreu disa programe të MCC-së.
“Edhe aty ku projektet e MCC u lejuan më vonë të vazhdonin, përfshirë Nepalin dhe Kosovën, ndërprerja në mes të fazës së zbatimit rriti kostot e projekteve, ndërpreu implementimin dhe minoi besimin në besueshmërinë e angazhimit të SHBA-së”, thuhet në raport.
Sipas raportit e autorëve, në shumë raste pasiguria rreth të ardhmes së MCC-së i detyroi qeveritë partnere të kërkonin alternativa për financim, duke i shtyrë disa prej tyre më pranë Kinës. /Telegrafi/.




























