Deklarata zyrtare e Sirisë pas njohjes së Kosovës

Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
Përmes një deklarate të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Sirisë, të publikuar më 29 tetor 2025 nga Damasku, vendimi për njohjen e Kosovës u mor pas një takimi trilateral në Riad, kryeqytetin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, ku morën pjesë përfaqësues të Sirisë, Arabisë Saudite dhe Kosovës.
Diskutimet u përqendruan në thellimin e marrëdhënieve, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe në hapjen e perspektivave për bashkëpunim dypalësh.
Në deklaratë thuhet se njohja e Kosovës bazohet në besimin e Sirisë në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe në përkushtimin e saj për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe në botë.
Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bazuar në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre.
Ministria siriane e Punëve të Jashtme thekson se ky hap është pjesë e politikës së jashtme të Damaskut, që synon zgjerimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e marrëdhënieve miqësore me vendet që ndajnë të njëjtat vlera dhe interesa.
Në të njëjtën kohë, Siria ka shprehur mirënjohje të veçantë për Arabinë Saudite për rolin e saj në ndërmjetësimin e dialogut dhe krijimin e kushteve që mundësuan këtë vendim historik.
Damasku pret me padurim krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, duke theksuar synimin për bashkëpunim në fushat politike, ekonomike dhe kulturore.
Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, e njohën atë.
Me këtë zhvillim, numri i shteteve që e njohin pavarësinë e Kosovës arrin në 120./Telegrafi/


















































