LAJMI I FUNDIT:

Deklarata e amerikanëve për Asociacionin, analistët thonë se funksionimi i shtetit dhe rendi juridik nuk do të cenohen

Deklarata e amerikanëve për Asociacionin, analistët thonë se funksionimi i shtetit dhe rendi juridik nuk do të cenohen

Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor të hënën bënë thirrje Kosovës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke siguruar atë se ky mekanizëm nuk e cenon Kushtetutën, sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

Në linjë me këtë deklaratë janë edhe njohësit e fushës politike, të cilët thonë se funksionimi i shtetit dhe rendit juridik nuk do të cenohen për shkak se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohej vetëm me statut të legjitimuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.


Njohësi i fushës, Emir Abrashi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë bashkëpunuese me aleatët e saj, kjo pasi siç tha ai është shqetësues fakti që komunikimi me ta është në nivele të ulëta.

Sipas tij, qeveria nuk duhet që t’i irritojë aleatët e saj duke qenë jo-bashkëpunuese dhe duke ndërmarrë veprime të njëanshme e të pakoordinuara.

“Është shqetësues fakti që komunikimi me aleatët e Kosovës është në nivele tejet të ulëta. Kosova deri më tani ka arritur të korr suksese sa herë që është koordinuar me aleatët e saj perëndimor. Edhe kësaj radhe nuk mund të jetë ndryshe, prandaj qeveria nuk duhet që t’i irritojë aleatët e saj duke qenë jo-bashkëpunuese dhe duke ndërmarrë veprime të njëanshme e të pakoordinuara, që më pas e amnistojnë Serbinë e Kosovën e nxjerrin në dritë të keqe”, ka thënë Abrashi.

Emir Abrashi, njohës i politikës

Tutje ai shtoi se “Kosova ka marrë zotim ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në 2013 e më pas në 2015. Pra, për këtë ekziston një marrëveshje, me të cilën tashmë Serbia po e kushtëzon ecjen tutje në procesin e dialogut”.

Për sa kohë siç theksoi Abrashi formimi i Asociacionit nuk shkon kundër marrëveshjes së 2015 me anë të së cilës garantohet marrja e mendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës sa i përket kompetencave, statutit dhe amendamenteve të mëvonshme të statutit, Kosova nuk duhet të frikësohet nga themelimi i Asociacionit.

“…Gjykata Kushtetuese mendoj që në asnjë formë nuk do të lejonte një Asociacion i cili do të kishte kompetenca ekzekutive, do të ishte pushtet i tretë apo do ta cenonte karakterin unitar të Republikës së Kosovës”.

Chollet dhe Escobar: Si vendi më pro-kosovar në botë, SHBA garanton popullin e Kosovës se Kushtetuta nuk cenohet me Asociacion
Lexo po ashtu Chollet dhe Escobar: Si vendi më pro-kosovar në botë, SHBA garanton popullin e Kosovës se Kushtetuta nuk cenohet me Asociacion

Abrashi potencoi se e rëndësishme është garancia që Asociacioni nuk do të jetë shtresë e tretë e pushtetit si dhe që nuk do të mund të shndërrohej potencialisht në një ‘Republika Srpska’.

“Kërkesa e Chollet dhe Escobar vjen në vazhdën e kërkesave që i bëhen Kosovës për formimin e këtij entiteti, si parakusht i arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Ajo që është e rëndësishme është garancia që Asociacioni nuk do të jetë shtresë e tretë e pushtetit si dhe që nuk do të mund të shndërrohej potencialisht në një ‘Republika Srpska’”, tha ai.

Siç u shpreh Abrashi, është e rëndësishme të potencohet që Kosova ka humbur shumë momentume dhe nuk guxon ta vazhdojë këtë avaz.

“Momentumet e humbura nuk do të vijnë më të mira, por (thuajse) gjithmonë më të pafavorshme. Për shembull, nëse kjo temë do të përmbyllej me kohë, sot nuk do të diskutohej termi ‘autonomi’ për serbët dhe nuk do të hiqej njohja e ndërsjellë si parakusht i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë sa më parë një propozim për Asociacionin, duke u mbështetur në marrëveshjen e vitit 2015 dhe duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të cilin kusht është pajtuar edhe pala serbe kur ka nënshkruar atë marrëveshje. Megjithatë, qeveria përpos propozimit, implementimin duhet të kushtëzojë me arritjen e marrëveshjes finale për normalizim të marrëdhënieve si dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel që nga fillimi i dialogut, në vitin 2011”, vlerësoi Abrashi.

Edhe, Artan Muhaxhiri vlerësoi se letra e Cholet dhe Escobar paraqet herën e parë që një qasje e këtillë, e nivelit dhe intensitetit të jashtëzakonshëm, aplikohet në raportet mes Kosovës dhe SHBA-ve.

“Garancitë publike të diplomatëve amerikanë drejtuar qytetarëve kosovarë nënkuptojnë pranim të shembjes së modeleve dialoguese me lidershipin tonë dhe mosbesim ndaj demokracisë përfaqësuese kosovare aktualisht”.

Artan Muhaxhiri, njohës i politikës

Kjo lloj strategjie politike sipas tij, dëshmon dështimin e të gjitha përpjekjeve të deritashme diplomatike për të gjetur zgjidhje kompromisi.

“Takimet e panumërta, draftet e ndryshme, ofertat e shumanshme dhe alternativat kreative – gjithçka ka rezultuar e pasuksesshme. Absolutisht – dhe vetëm absolutisht, gjëja e fundit që i duhet Kosovës është ky dëmtim rrezikues i marrëdhënieve me aleaten fundamentale të çlirimit dhe shtetësisë”, vlerësoi Muhaxhiri.

I pyetur a do të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ai tha “Asociacioni është menduar si një bazë për marrëveshjen finale. Një gjetje që do të mund të shfrytëzohej nga të dyja palët për qëllime diametralisht të kundërta. Kosova do ta fitonte një lloj të njohjes indirekte nga Serbia, që do të çelte udhë për njohjet e pesë vendeve mosnjohëse, anëtarësime në organizatat ndërkombëtare dhe avancim të agjendës evropiane. Pra, një kapitull i ri historik. As funksionimi i shtetit dhe as rendi juridik nuk do të cenoheshin për shkak se Asociacioni do të themelohej vetëm me statut të legjitimuar nga Gjykata Kushtetuese”.

LDK konfirmon pjesëmarrjen në takimin e nesërm për Asociacionin: Themelimi i tij është përgjegjësi vetëm e Qeverisë
Lexo po ashtu LDK konfirmon pjesëmarrjen në takimin e nesërm për Asociacionin: Themelimi i tij është përgjegjësi vetëm e Qeverisë

Siç u shpreh Muhaxhiri, Serbisë do t’i mundësohej që Asociacionin ta shfrytëzonte për spektakël, propagandë, demagogji dhe mitomani. Natyrisht, si arsyetim mashtrues për kompromiset e bëra.

“Me mungesën e vullnetit për realizëm në trajtimin e Asociacionit, Kryeministri Kurti ka hyrë gabimisht në rrugë njëkahore. Sa më shumë që do të këmbëngulë në këtë qasje, për aq do të largohet prej normalitetit të pozicionimit të tij politik ndaj SHBA-ve dhe BE-së.

Hyrja në konflikte të hapura politike me superfuqi si SHBA-të dhe BE-ja, duke përdorur argumente të deformuara populliste, Kryeministri Kurti mund t’i krijojë kënaqësi subjektive të vetërealizimit, mirëpo popullit dhe shtetit tonë do t’iu shkaktojë stagnime, bllokime, zhgënjime dhe prapa-kthime sistemore”, theksoi tutje ai.

Ndërkaq, Muhaxhiri po ashtu tha se Asociacioni do të themelohet pas ndërtimit të kontekstit të duhur në të ardhmen, sepse është pjesë shumë e rëndësishme e agjendave gjeostrategjike dhe gjeopolitike të pushteteve vendimmarrëse për rajonin tonë.

Ndryshe, të martën në Ambasadën amerikane në Prishtinë do të mbahet një takim ku do të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa të ftuar janë zyrtarë nga Presidenca, zyrtarë qeveritarë, liderë partiakë, diplomatë dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Ndërkaq, të hënën Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe, publikuan online versionin e draft-statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dy marrëveshje sa i përket Asociacionit, një më 2013 dhe një më 2015.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Lajme
Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Serbi, Von Cramon dhe eurodeputetët e tjerë shprehin shqetësimin dhe kërkojnë veprime

Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Serbi, Von Cramon dhe eurodeputetët e tjerë shprehin shqetësimin dhe kërkojnë veprime

Lugina
Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Lajme
Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Lajme
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Kalo në kategori