Poezi nga: George Herbert
Përktheu: Alfred Kola

Dashuria më priti. E shpirti m’u praps
Fajtor në ndjenj’ e mëkat.
Ajo me syshpuzë, pa zmbrapsjen at’ çast
Që qasja e parë e pat’,
Më pranë u afrua, ëmbëlsisht më pyeti,
Nëse më mungonte gjësendi.


U gjegja, mysafir i denjë qoftë tani:
Ajo tha, ti do jesh ai.
Un’ i pakëndshmi fisnik? Ah, dashuri,
S’i hedh dot sytë te ti.
Dorën ma kapi, m’u gjegj me buzëqeshje,
Kush t’i dha sytë veç meje?

Zot i vërtetë, un’ i prisha: lërma turpin
Që meriton ndëshkim.
Fajin kush e mbajti, tha Ajo, s’e di kumtin?
Do shërbej, i dashuri im.
Të ulesh, tha ajo, dhe të shijosh k’to ënda:
Kështu un’ u ula dhe hëngra.